Zv/kryeministri Bislimi priti në takim emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen
Zv/kryeministri Bislimi theksoi gjithashtu se duhet të trajtohet me urgjencë dhe vëmendjen e merituar çështja e personave të zhdukur me dhunë

Prishtinë
Zv/kryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në një takim pune përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Bislimi dhe Sorensen diskutuan rreth rrugës përpara drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit.
Zv/kryeministri Bislimi theksoi gjithashtu se duhet të trajtohet me urgjencë dhe vëmendjen e merituar çështja e personave të zhdukur me dhunë, në mënyrë që të fillohet edhe me punën e Komisionit të Përbashkët, gjersa ekziston një marrëveshje e dakorduar nga dhjetori i vitit 2024.
Gjithashtu në takim zv/kryeministri Bislimi theksoi edhe urgjencën me të cilën duhet të trajtohet problemi i bllokimit të shpërndarjes së mjeteve për fermerët në Luginën e Preshevës nga Serbia e cila po ashtu refuzoi që kjo çështje të trajtohej gjatë takimit të fundit në Bruksel, muajin e kaluar.
Bislimi foli edhe rreth dëmeve që Serbia po ia shkakton Kosovës vit pas viti me bllokimin e linjave të interkoneksionit, i cili po e rrit koston e transmisionit për energjinë jo vetëm në Kosovë, por edhe për rajonin.
Ai shprehu edhe rëndësinë dhe domosdoshmërinë që sa më parë të ndodhë heqja e plotë e masave të BE-së ndaj Kosovës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.