Zjarr pranë deponisë ilegale në rajonin e Vizbegut në Shkup
- Aktualisht, në terren po intervenojnë ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit.

Shkup
SHKUP (AA) - Në rajonin e Vizbegut pranë deponisë ilegale që gjendet në Komunën e Shuto Orizarit në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, ka shpërthyer një zjarr, raporton Anadolu.
Tymi i zi i ngritur nga vendi i zjarrit mund të shihet nga shumë vende të kryeqytetit.
Sipas njoftimit nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) zjarri po përhapet dhe paraqet rrezik për zgjerim drejt sipërfaqeve përreth ku afër ndodhen shtëpi banimi.
Me kërkesë të kryetarit të Komunës së Shuto Orizarit, Kurto Dudush, është kërkuar mbështetje ajrore për përballimin e zjarrit.
QMK menjëherë e ka procesuar kërkesën në drejtim të Ministrisë për Punë të Brendshme (MPB) dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) me qëllim të behët një ndërhyrjeje më të shpejtë dhe më efikase në terren.
Ndërkaq, sipas QMK-së kryetarit të Shuto Orizarit i është rekomanduar që, nëse vlerësohet e nevojshme, të ndërmarrë masa për evakuimin e banorëve të asaj zone.
Aktualisht, në terren po intervenojnë ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit.
Ndërkohë, tashmë është duke vepruar edhe aeroplani "Air Tractor" i DMSH-së për shuarjen e zjarrit në rajonin e Vizbegut.