Zhivojin Nesiq dënohet me 15 vjet burgim për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë
Nesiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të forcave serbe ka kryer këtë vepër penale, të dënuar me ligjet e Republikës Sociale Federale të Jugosllavisë

Prishtinë
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 15 vjet burgim qytetarin e komunitetit serb Zhivojin Nesiq, për krime në luftë dhe krime kundër popullsisë civile, përkatësisht dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë, transmeton Anadolu.
Aktgjykimi u shpall nga gjykatësja Violeta Namani-Hajra, e cila tha se Nesiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të forcave serbe ka kryer këtë vepër penale, të dënuar me ligjet e Republikës Sociale Federale të Jugosllavisë.
"Dëshmitë e të dëmtuarës gjejnë mbështetje në dëshmitë e dëshmitarëve okularë A.A., H.A., dhe H.H., ku nga këto dëshmi, gjykata ka vërtetuar se Zhivojin Nesiq me përdorimin e dhunës fizike dhe psiqike dhe veprimeve çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual ndaj femrës së nacionalitetit shqiptar. Dhe me këto veprime të kundërligjshme, Zhivojin Nesiq ka kryer veprën penale për të cilën është shpallur fajtor dhe është dënuar sipas ligjit", tha Namani-Hajra.
Dënimi prej 15 vjetësh, përfshinë në llogari edhe kohën prej kur i akuzuari ndodhet në paraburgim, nga data 5 mars e vitit 2024.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Nesiq më 26 gusht të vitit 2024, ndërsa gjykimi ndaj tij ka qenë me dyer të mbyllura, për shkak të ndjeshmërisë së rastit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.