BALLKANI

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, KSHZ fillon me shpalljen e rezultateve jozyrtare

Sipas faqes së KSHZ-së, aktualisht kandidatja Gordana Siljanovska Davkova nga partia opozitare VMRO-DPMNE ka fituar pothuajse 38 për qind të votave, duke u renditur e para

Abdula Berisha  | 24.04.2024 - Përdıtësım : 25.04.2024
Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, KSHZ fillon me shpalljen e rezultateve jozyrtare Foto: Abdula Berisha/AA

Shkup

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) i Maqedonisë së Veriut ka filluar me publikimin e rezultateve të para jozyrtare nga raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën sot, transmeton Anadolu.

Sipas faqes së KSHZ-së, deri më tani në mënyrë elektronike janë dërguar të dhënat nga rreth 65 për qind e vendvotimeve, nga të cilat kandidatja Gordana Siljanovska Davkova nga partia opozitare VMRO-DPMNE ka fituar më shumë se 38 për qind të votave, duke u renditur e para.

Presidenti aktual dhe kandidati i koalicionit të udhëhequr nga LSDM, Stevo Pendarovski, renditet i dyti me rreth 19 për qind.

I treti renditet Bujar Osmani, aktualisht ministër i Jashtëm dhe kandidat i koalicionit të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), i cili ka fituar pothuajse 15 për qind të votave.

Kandidati i koalicionit VLEN, të përbërë nga partitë opozitare shqiptare, Arben Taravari, është i katërti me afër 11 për qind.

I pesti radhitet Maksim Dimitrievski nga Lëvizja “ZNAM”, i cili ka fituar rreth 8 për qind të votave.

Kandidatja Biljana Vankovska Cvetkovska, e përkrahur nga partia opozitare “E Majta”, është e gjashta me mbi 4 për qind, ndërsa kandidati i partisë GROM, Stevço Jakimovski, radhitet i fundit me rreth një për qind.

Këto janë rezultate jozyrtare të publikuara në faqen e KSHZ-së, ndërsa pritet që gjatë ditës së nesërme KSHZ të shpallë edhe rezultatet zyrtare.

Sipas ligjeve, fituesi shpallet në raundin e parë të votimit vetëm nëse njëri prej kandidatëve ka fituar më shumë se 50 për qind të votave nga të gjithë votuesit e regjistruar.

Nëse në raundin e parë të votimit nuk shpallet fitues, raundi i dytë është planifikuar të mbahet më 8 maj, ditën kur janë shpallur edhe zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

Nga pavarësia e vendit, këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.