BALLKANI

Zgjedhjet parlamentare në RMV: BE lavdëron qytetarët për ushtrimin e të drejtës së votës në kohë të pandemisë

"Zgjedhjet në përgjithësi u zhvilluan mirë dhe me disa adaptime për shkak të pandemisë dhe fushata ishte vërtet konkurruese, por stabiliteti ligjor ishte minuar me rishikime thelbësore të kornizës ligjore dhe dekreteve të mëpasshme të qeverisë"

Ekip  | 17.07.2020 - Përdıtësım : 18.07.2020
Zgjedhjet parlamentare në RMV: BE lavdëron qytetarët për ushtrimin e të drejtës së votës në kohë të pandemisë

Shkup

Në një deklaratë të përbashkët, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimi Evropian (BE), Josep Borrell, dhe eurokomisari për politikë fqinjësore dhe zgjerim, Oliver Varhelyi, kanë lavdëruar qytetarët për ushtrimin e të drejtës së tyre të votës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik në Maqedoninë e Veriut, pasi ato u mbajtën në kontekstin sfidues të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

"Zgjedhjet në përgjithësi u zhvilluan mirë dhe me disa adaptime për shkak të pandemisë dhe fushata ishte vërtet konkurruese, por stabiliteti ligjor ishte minuar me rishikime thelbësore të kornizës ligjore dhe dekreteve të mëpasshme të qeverisë", theksuan Borrell dhe Varhelyi duke u bazuar në gjetjet paraprake dhe konkluzionet e vëzhguesve ndërkombëtarë nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR).

Sapo OSBE/ODIHR të nxjerrë rekomandimet e saj për zgjedhjet e ardhshme, theksuan përfaqësuesit evropianë, BE-ja pret që të gjithë aktorët politikë, institucionet përkatëse dhe palët e interesuara të vazhdojnë të punojnë së bashku për t'i zbatuar ato rekomandime shumë përpara zgjedhjeve të ardhshme.

"Ne mezi presim të punojmë me një parlament të fortë dhe një koalicion të qëndrueshëm qeveritar që duhet të përmbushë objektivin strategjik të vendit për integrimin në BE dhe të adresojë pritjet e qytetarëve. Ne jemi të përkushtuar që të vazhdojmë t'i përgjigjemi bashkërisht pandemisë COVID-19 dhe pasojave të saj", thuhet në deklaratën e përbashkët.

Borrell dhe Varhelyi theksuan se ata presin që autoritetet të vazhdojnë të realizojnë zotimet e vendit ndaj BE-së, të vazhdojnë dhe të përshpejtojnë zbatimin e reformave të BE-së, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe të forcojnë më tej marrëdhëniet e mira fqinjësore.

"BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së dhe mezi pret mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur", theksuan ata.

Për shkak të pandemisë aktuale me koronavirusin, procesi i votimit në Maqedoninë e Veriut zgjati tre ditë. Më 13 dhe 14 korrik votuan personat e infektuar me COVID-19 dhe ato në vetizolim, si dhe personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, personat në shtëpi pleqsh, të burgosurit dhe personat e zhvendosur në Qendrën e Personave të Zhvendosur. Ndërkaq, më 15 korrik votuan të gjithë qyteatarët e tjerë.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) dje njoftoi se nga numri i përgjithshëm i 1.814.236 votuesve, gjithsej 942.334 votues kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës dhe koalicioni "Mundemi" i udhëhequr nga Lidhja Social Demokratike e Maqedonisë (LSDM) fitoi 327.329 vota në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që është numri më i madh i votave të fituara në këto zgjedhje.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.