Politikë, BALLKANI

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë: Kryeson Lëvizja Vetëvendosje

Rezultatet jo përfundimtare të KQZ-së tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka grumbulluar 162.195 vota apo 26,10 për qind, pasuar nga LDK me 156.698 vota apo 25,21 për qind

Besar Ademi  | 07.10.2019 - Përdıtësım : 07.10.2019
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë: Kryeson Lëvizja Vetëvendosje ( Umeys Sulejman - Anadolu Agency )

Shkup

Sipas të dhënave të deritanishme të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) nga 77,42 për qind e fletëvotimeve të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje kryeson në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë me një përqindje të ngushtë kundrejt Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), e cila bëri të ditur se rezultatet preliminare do t’i shpalosë gjatë ditës së nesërme, nga 99,61 për qind e vendvotimeve të përpunuara, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 44,05 për qind apo 851.303 votues nga gjithsej 1.937.869 të regjistruar.

Rezultatet jo përfundimtare të KQZ-së tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka grumbulluar 162.195 vota apo 26,10 për qind, pasuar nga LDK me 156.698 vota apo 25,21 për qind. E treta renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 131.548 vota apo 21,17 për qind.

LDK ka emëruar kandidate për kryeministër Vjosa Osmanin, e cila në historinë e Kosovës është e vetmja kandidate grua për kryeministër. Ndërkohë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër i kësaj partie, Albin Kurti, pritet të adresohet para qytetarëve në sheshin “Skenderbeu” në qendër të Prishtinës.

Nga numri i përgjithshëm i qytetarëve që kanë hedhur votën, KQZ në rezultatet e saj prelimnare të vlefshme i ka shpallur 584.524 fletëvotime dhe të pavlefshme 22.908 fletëvotime, duke përjashtuar votat me kusht, ato me postë dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

Këto janë zgjedhjet e katërta të parakohshme parlamentare, nga gjithsej shtatë të mbajtura në vend, të cilat u shpallën pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj si arsye e ftesës ndaj tij nga Gjykata Speciale në Hagë.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), në këtë garë zgjedhore u pëfshinë 25 subjekte politike, nga to 20 parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur.

Këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku garuan gjithsej pesë kandidatë për postin e kryeministrit, do të vendosin për 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, prej të cilëve 100 do t’i përfaqësojnë subjektet politike, dhjetë do të ruhen për përfaqësuesit e komunitetit serb dhe dhjetë për përfaqësuesit e komuniteteve të tjera.

Në zgjedhjet e fundit të vitit 2017, koaliconi PAN i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA Socialdemokrate grumbulluan më shumë vota dhe formuan qeverinë e vendit, ndërsa LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje mbetën në opozitë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.