BALLKANI

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, partitë në pushtet dalin përpara në shumicën e komunave

VMRO-DPMNE kryeson me fitore në 54 komuna, LSDM në nëntë, Koalicioni VLEN në tetë, AKI në pesë, Partia Demokratike e Turqve, Lëvizja ZNAM dhe Unioni i Romëve me nga një komunë secila, si dhe dy kandidatë të pavarur në Strugë dhe Studeniçan

Abdulbesar Ademi  | 20.10.2025 - Përdıtësım : 20.10.2025
Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, partitë në pushtet dalin përpara në shumicën e komunave Foto: Umeys Sulejman/AA

Prishtinë

Sipas rezultateve të para të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) nga më shumë se 70 për qind e votave të numëruara, partitë në pushtet, respektivisht VMRO-DPMNE dhe Koalicioni VLEN, kryesojnë në shumicën e komunave ndaj partive opozitare, Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), transmeton Anadolu.

Sipas të dhënave të KSHZ-së nga 70,48 për qind të votave të numëruara në nivel shtetëror, VMRO-DPMNE-ja kryeson me fitore në 54 komuna, përfshirë Qytetin e Shkupit, LSDM në nëntë komuna, Koalicioni VLEN në tetë komuna, AKI në pesë komuna, Partia Demokratike e Turqve të Maqedonisë, Lëvizja ZNAM dhe Unioni i Romëve me nga një komunë secila, si dhe dy kandidatët e pavarur, Mendi Qura në Strugë dhe Azem Sadiki në Studeniçan.

Në garën në Qytetin e Shkupit, nga 41,47 për qind e votave të përpunuara, Orce Gjorgjievski nga VMRO-DPMNE-ja udhëheq me 41,96 për qind të votave, ndërsa shumë pas tij vijnë Amar Mecinoviq (E Majta) me 12,84 për qind, Kaja Shukova (LSDM) me 11,28 për qind dhe Skender Rexhepi (AKI) me 10,58 për qind.

Në Çair udhëheq zv/kryeministri aktual Izet Mexhiti nga radhët e Koalicionit VLEN, i cili shpalli fitoren me 50,44 për qind të votave nga 39,68 për qind të përpunimit të të dhënave, duke fituar ndaj kundërkandidatit Bujar Osmani nga radhët e AKI-së, i cili ka siguruar

Në Tetovë, nga ana tjetër, duke u bazuar në 91,50 për qind të përpunimit të votave, Bilall Kasami nga Koalicioni VLEN udhëheq me 46,96 për qind të votave kundrejt Bajram Rexhepit me 37,20 për qind të votave të grumbulluara.

Në Gostivar janë numëruar 82,55 për qind e votave, nga të cilat Valbon Limani kryeson bindshëm me 59,18 për qind të votave të grumbulluara, i ndjekur nga Sebaedin Dauti me 15,47 për qind të votave, Darko Grujoski me 11,66 për qind dhe Visar Ademi me 5,27 për qind.

Në Kërçovë udhëheq Aleksandar Jovanovski nga VMRO-DPMNE-ja me 49,13 për qind të votave nga 71,20 për qind të përpunimit të dhënave. Pas tij, Fatmir Dehari nga AKI ka grumbulluar 20.08 për qind të votave, Fatmir Limani nga Koalicioni VLEN 15,36 për qind dhe Shkodran Alili 14,40 për qind të votave.

Në Strugë udhëheq kandidati i pavarur Mendi Qura me 38,62 për qind, i ndjekur nga Arsim Dalipi nga AKI me 35,50 për qind të votave dhe Jovana Mojsoska nga E Majta me 11,90 për qind.

Në Ohër janë numëruar 73,90 për qind e votave, ku Kiril Pecakov nga VMRO-DPMNE-ja udhëheq bindshëm me 64,80 për qind të votave ndaj Asen Shajnit të LSDM-së me 23,10 për qind të votave.

Në Kumanovë, nga 54,40 për qind të votave të numëruara, Maksim Dimitrievski, lider i Lëvizjes ZNAM në pushtet, udhëheq me 34,14 për qind të votave, i ndjekur nga Selver Ajdini nga radhët e AKI-së me 19,90 për qind, Arben Etemi nga VLEN-i me 12,97 për qind dhe Martin Kostovski nga LSDM-ja me 12,56 për qind.

46,65 për qind e qytetarëve shfrytëzuan të drejtën e votës deri në ora 18:30

Kreu i KSHZ-së, Boris Kondarko, në konferencën e fundit për media njoftoi se sipas të dhënave të përpunuara deri në ora 18:30 në mbarë territorin e vendit të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 803.090 qytetarë apo 46,65 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve.

Të dhënat e KSHZ-së tregojnë se 1.832.415 qytetarë kishin të drejtë vote për të zgjedhur 80 kryetarë komunash dhe anëtarët e këshillave komunal në gjithë vendin dhe për kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe anëtarët e këshillit të Qytetit të Shkupit.

Në këtë proces zgjedhor, 309 kandidatë garuan për postin e kryebashkiakëve, ndërsa për këshillat komunal janë paraqitur 576 lista me gjithsej 10.490 kandidatë. Ndryshe, në këto zgjedhje morën pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 kandidatë të pavarur.

Zgjedhjet e sotme do të pasohen nga raundi i dytë më 2 nëntor, në komunat ku sipas rregullave të zgjedhjeve lokale të vendit, nëse asnjë kandidat për kryetar komune nuk fiton më shumë se 50 për qind të votave në raundin e parë, atëherë dy kandidatërt me më shumë vota kalojnë në raundin e dytë.

Komunat Qendër Zhupë, Mavrovë dhe Rostushë, si dhe Vrapçisht, sipas të dhënave të fundit, kanë më pak se një e treta e numrit të regjistruar të votuesve, gjë që sipas kodit zgjedhor, që të mos ketë përsëritje të zgjedhjeve, nevojitet që të paktën një e treta e votuesve të regjistruar në komunën e caktuar të dalin të votojnë.

Në Qendër Zhupë deri në orën 18:30 kanë votuar 21,61 për qind, Mavrovë dhe Rostushë 28,58 për qind dhe Vrapçisht 21,30 për qind, por KSHZ-ja në rezultatin zyrtar do të njoftojë se në cilat komuna në mbarë vendin do të zhvillohet raundi i dytë dhe nëse do të përsëriten në një afat brenda 60 ditëve.

Këto ishin zgjedhjet lokale të teta në Maqedoninë e Veriut, pas atyre të viteve 1996, 2000, 2005, 2009, 2013, 2017 dhe 2021.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.