Zgjedhjet në Kosovë: Lëvizja Vetëvendosje dhe përkrahësit e saj festojnë në Prishtinë
Gjatë festës së këtij subjekti politik bashkë me përkrahës, u festua me flamuj kombëtar, fishekzjarre dhe brohoritma. Po ashtu një numër qytetarësh dolën për të festuar me vetura nëpër rrugë të kryeqytetit
Prishtinë
Anëtarë të partisë fituese në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), dolën në sheshet e Prishtinës për të festuar bashkë me kandidatin për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti, raporton Anadolu.
Festa që zgjati për disa orë, fillimisht pranë selisë së LVV-së dhe më pas në sheshet e kryeqytetit, kulmoi me fjalën e kandidatit për kryeministër të kësaj partie, Albin Kurtit, para qindra qytetarëve të tubuar.
Gjatë festës së këtij subjekti politik bashkë me përkrahës, u festua me flamuj kombëtar, fishekzjarre dhe brohoritma. Po ashtu një numër qytetarësh dolën për të festuar me vetura nëpër rrugë të kryeqytetit.
LVV-ja doli partia më e madhe nga rezultatet preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Nga numërimi i mbi 99 për qind të kutive të votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, kjo parti ka marrë 49,31 për qind apo 429.861 vota.
Pas saj, në vendin e dytë është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21,01 për qind apo 183.183 vota.
Në vendin e tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila deri më tani ka marrë 13,59 për qind apo 118.490 vota, pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5,68 për qind apo 49.571 vota.
Partitë e tjera, të cilat deri në fund të numërimit zyrtar të votave nuk arrijnë 5 për qind të votave, nuk do të mund ta kalojnë pragun për t'u përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.
Nëse LVV-ja arrin 50 për qind apo më shumë vota deri në certifikimin e rezultateve, ajo mund ta formojë qeverinë e vetme, pa pasur nevojë për një koalicion pas-zgjedhor me ndonjë parti tjetër parlamentare.
Kosova sot mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas krizës disamujore politike për të formuar një qeveri të re, ku në garë morën pjesë 24 subjekte politike, me 1.180 kandidatë për deputetë.
Të drejtë vote kishin 2.076.290 prej të cilëve 1.999.204 votuan sot brenda vendit dhe 77.086 patën mundësi ta ushtrojnë të drejtën e votës në periudhën 12-27 dhjetor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
