Shkup
Pas raundit të parë dhe të dytë të zgjedhjeve lokale partitë në pushtet Koalicioni VMRO-DPMNE-së dhe Koalicioni VLEN fituan më shumë komuna, raporton Anadolu.
Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, sipas rezultateve të dy raundeve të zgjedhjeve lokale, do të ketë kryetarë komunash në Qytetin e Shkupit dhe në 54 komuna. I dyti për nga numri i komunave të fituara është koalicioni VLEN me 9 kryetarë komunash.
Koalicioni i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) do të ketë 6 kryetarë komunash, Aleanca Kombërare për Integrim (AKI) 4, ndërsa Lëvizja ZNAM dhe Unioni i Romëve nga një kryetar komune. Një komunë do të drejtohet nga një kandidat i pavarur.
Sipas rezultateve të KSHZ-së, VMRO-DPMNE-ja në zgjedhjeve lokale, përveç Qytetit të Shkupit, ka fituar edhe në komunat: Berovë, Manastir, Bosillovë, Butel, Vevçan, Veles, Gazi Babë, Gjevgjeli, Gradsko, Gjorçe Petrov, Dellçevë, Demir Hisar, Zelenikovë, Ilinden, Jegunovc, Kavadar, Karbinci, Kisella Vodë, Kratovë, Novaci, Novo Sello, Ohër, Petrovec, Pehçevë, Prilep, Radovish, Resnje, Sveti Nikollë, Sopishte, Staro Nagoriçne, Strumicë, Shtip, Aerodrom, Bërvenicë, Vallandovë, Vinicë, Debarcë, Demir Kapi, Dojran, Karposh, Kërçovë, Konçe, Koçan, Krushevë, Llozovë, Makedonski Brod, Mogillë, Negotino, Probishtip, Rankovc, Rosoman, Çeshinovo-Obleshevo dhe Çuçer Sandevë.
Koalicioni VLEN fitoi në 9 komuna: Çair, Haraçinë, Zhelinë, Saraj, Tearcë, Bogovinë, Dibër, Dollnen dhe Tetovë.
Koalicioni i LSDM-së fitoi në 6 komuna: Krivogashtan, Kriva Pallankë, Bogdanc, Zërnovc, Makedonska Kamenicë dhe Komuna Qendër.
Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka fituar në 4 komuna: Likovë, Pllasnicë, Çashkë dhe Studeniçan.
Në Strugë ka fituar kandidati i pavarur Mendi Qyra i mbështetur nga VLEN-i.
Nga një kryetar komune kanë fituar Unioni i Romëve në Shuto-Orizare dhe Lëvizja ZNAM në Kumanovë.
Dje në raundin e dytë nuk pati votim në katër komuna: Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë e Rostushë. Arsyeja është pjesëmarrja e pamjaftueshme e votuesve në raundin e parë, prandaj procedurë e re zgjedhore do të zhvillohet brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale të vitit 2025.
Këto janë zgjedhjet e teta lokale në Maqedoninë e Veriut dhe të katërtat për kryetarë komune dhe lista këshilltarësh në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit.
Kujtojmë se në zgjedhjet lokale të vitit 2025 morën pjesë gjithsej 22 parti, 19 koalicione dhe 119 grupe votuesish, pra kandidatë të pavarur.
