Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, jehona e votuesve deri në ora 13 është 20 për qind
Pjesëmarrja më e lartë është regjistruar në komunën e Çashkës me 40,74 për qind, e ndjekur nga Makedonski Brod me 34,02 për qind, Krusheva me 33,88 për qind dhe Vevçani me 33.76 për qind

Shkup
Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) i Maqedonisë së Veriut ka përditësuar të dhënat për pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të vendit, duke njoftuar se deri në ora 13:00 jehona e votuesve ka tejkaluar 20 për qind, transmeton Anadolu.
Sipas të dhënave, pjesëmarrja më e lartë është regjistruar në komunën e Çashkës me 40,74 për qind, e ndjekur nga Makedonski Brod me 34,02 për qind, Krusheva me 33,88 për qind dhe Vevçani me 33.76 për qind.
Komuna me pjesëmarrjen më të ulët në zgjedhje deri në ora 13 është regjistruar në komunën e Vrapçishtit me 7,23 për qind, e ndjekur nga Gostivari me 11,66 për qind dhe Qendër Zhupa me 11,97 për qind.
Sot, Maqedonia e Veriut mban zgjedhjet e teta lokale të vendit, ku 1.832.415 qytetarë kanë të drejtë vote për të zgjedhur 80 kryetarë komunash dhe anëtarët e këshillave komunalë në gjithë vendin dhe për kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe anëtarët e këshillit të Qytetit të Shkupit.
Duke filluar nga ora 7 e mëngjesit, qytetarët do të kenë mundësinë e shfrytëzimit të së drejtës së votës deri në ora 7 në mbrëmje në gjithsej 3.480 qendra votimi në mbarë vendin, pas çka Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSZH) duhet të shpallë rezultatet e para brenda 12 orëve.