Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, partia në pushtet VMRO-DPMNE kryeson në mbi 20 komuna
Në Qytetin e Shkupit, aktualisht kryeson kandidati i VMRO-DPMNE-së, Orce Gjorgjievski, përballë kandidatit të Partisë Levica (E majta), Amar Mecinoviq.
Shkup
Koalicioni nën kryesimin e partisë në pushtet VMRO-DPMNE është në avantazh në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, duke kryesuar në 21 komuna dhe në Qytetin e Shkupit në bazë të 94,03 për qind të votave të përpunuara, sipas rezultateve paraprake të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), transmeton Anadolu.
Koalicioni bashkëqeverisës VLEN renditet i dyti me 4 komuna, koalicioni i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) kryeson në 3 komuna, dhe në nga një komunë kryesojnë Aleanca Kombërare për Integrim (AKI), Unioni i Romëve, Lëvizja ZNAM dhe një kandidat i pavarur.
Në Qytetin e Shkupit, aktualisht kryeson kandidati i VMRO-DPMNE-së, Orce Gjorgjievski, përballë kandidatit të Partisë Levica (E majta), Amar Mecinoviq.
Të drejtë në këtë raund kishin 1.013.375 qytetarë në gjithsej 1.777 vendvotime., ndërsa pjesëmarrja deri në fund të votimit arriti në 45,71 për qind.
Në raundin e parë, të mbajtur më 19 tetor, u zgjodhën 44 kryetarë komunash dhe këshillat komunalë. Sipas rezultateve të atij raundi, VMRO-DPMNE fitoi 32 komuna, VLEN mori 5, AKI fitoi 4, ndërsa koalicioni nën drejtimin e LSDM-së arriti të marrë 3 komuna.
Në raundin e parë, dalja e qytetarëve për të shfrytëzuar votën ishte 46,63 për qind, ndërsa të drejtë vote kishin 1.832.415 qytetarë.
Në disa komuna – Gostivar, Vrapçisht, Qendër-Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë – në raundin e parë nuk u arrit pragu minimal i daljes dhe do të nisë procedurë e re zgjedhore brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare, sipas Kodit Zgjedhor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
