BALLKANI

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut: Në raund të parë u zgjodhën 43 kryetarë komunash

Në raundin e parë u zgjodhën kryetarët në 43 komuna, raund të dytë do të ketë në 33 komuna, ndërsa procesi zgjedhor do të përsëritet në Gostivar, Mavrovë-Rostushë, Vrapçishtë dhe Qendër Zhupë

Bekim Buci  | 21.10.2025 - Përdıtësım : 22.10.2025
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut: Në raund të parë u zgjodhën 43 kryetarë komunash

Shkup

Në 43 komuna të Maqedonisë së Veriut, votimi ka përfunduar në raundin e parë të zgjedhjeve për kryetar komune që u mbajt më 19 tetor, në 33 do të ketë raund të dytë, ndërsa në 4 komuna raundi i parë do të përsëritet për shkak të pjesëmarrjes së pamjaftueshme, raporton Anadolu.

Pjesëmarrja në zgjedhjet lokale është 46,63 për qind, që do të thotë se në zgjedhje votuan 854.620 qytetarë, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ).

Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko tha se sipas procesverbaleve origjinale të marra nga të gjitha Komisionet Komunale Zgjedhore (KKZ), në 33 komuna pas dy javësh, gjegjësisht më 2 nëntor, do të ketë raund të dytë zgjedhjesh për kryetar komune.

Amar Mecinoviq nga "E Majta" dhe Orce Gjorgjievski nga Koalicioni i VMRO-DPMNE-së "Maqedonia Jote" janë kandidatët për kryetar të Qytetit të Shkupit në raundin e dytë.

"Në raundin e dytë të zgjedhjeve, kandidati që fiton më shumë vota konsiderohet fitues, nuk ka prag", tha Kondarko.

Në katër komuna ku nuk janë përmbushur kërkesat ligjore për pjesëmarrje në votime të minimumit ligjor prej një të tretës së votuesve të regjistruar në nivel komunal, i gjithë raundi i parë zgjedhor do të përsëritet brenda 60 ditëve nga data e shpalljes së rezultateve përfundimtare.

Përsëritje e raundit të parë të zgjedhjeve për shkak të censusit të pamjaftueshëm do të zhvillohet në Gostivar, Mavrovë dhe Rostushë, Vrapçishtë dhe Qendër Zhupë.

- VMRO-DPMNE fitoi në 33 komuna, VLEN-i në 5, AKI në 3 dhe LSDM-ja në 3 komuna

VMRO-DPMNE dhe Koalicioni "Maqedonia Jote" fituan 33 vende për kryetarë komune në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 19 tetor. Koalicioni VLEN fitoi në 5 komuna në raundin e parë, LSDM-ja fitoi në 3 komuna dhe Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) gjithashtu fitoi në 3 komuna.

Në raundin e parë VMRO-DPMNE-ja fitoi në komunat: Berovë, Manastir, Bosilovë, Butel, Vasilevë, Vevçan, Veles, Gazi Babë, Gjevgjeli, Gradsko, Gjorçe Petrov, Dellçevë, Demir Hisar, Zelenikovë, Ilinden, Jegunovc, Kavadar, Karbinci, Kisella Vodë, Kratovë, Ohër, Petrovec, Pehçevë, Prilep, Novaci, Noso Selo, Radovish, Resnjë, Sveti Nikollë, Sopisht, Staro Nagoriçan, Strumicë dhe në Shtip.

VLEN-i në raundin e parë fitoi në komunat: Çair, Haraçinë, Zhelinë, Saraj dhe Tearcë. Koalicioni AKI në raundin e parë fitoi në komunat: Lilkovë, Çashkë dhe Pllasnicë. Ndërsa LSDM-ja fitoi në komunat: Bogdanci, Kriva Pallankë dhe Krivogashtani.

Ndërkaq, raund të dytë do të ketë në këto komuna:

"Qyteti i Shkupit, Aerodrom, Bërvenicë, Vallandovë, Vinicë, Debarcë, Demir Kapi, Dojran, Zrnovcë, Karposh, Kërçovë, Koçan, Konçe, Makedonska Kamenica, Makedonski Brod, Mogillë, Negotinë, Probishtip, Rankonvcë, Çeshinovë-Obleshevë, Bogovinë, Dibër, Dollnen, Tetovë, Krushevë, Llozovë, Rosoman, Qendër, Çucer Sandevë, Strugë, Shuto Orizarë, Kumanovë, Studeniçan".

Kujtojmë se në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të vitit 2025 më 2 nëntor qytetarët në 33 komuna do të zgjedhin midis dy kandidatëve që morën më shumë vota në raundin e parë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın