Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, më shumë kandidatë për kryetar janë paraqitur për Qytetin e Shkupit
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 19 tetor
Shkup
Pas afatit të fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për kryetarë komunash dhe këshilla të komunave, më shumë kandidatë janë paraqitur për Qytetin e Shkupit, gjegjësisht 18 lista kandidatësh për kryetar të Qytetit të Shkupit dhe 20 lista kandidatësh për anëtarë të Këshillit të Qytetit të Shkupit, transmeton Anadolu.
Këtë e ka bërë të ditur Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), duke shtuar se gjithsej 312 lista kandidatësh për kryetar komune dhe 575 lista kandidatësh për këshilltarë të komunave janë dorëzuar në komisionet zgjedhore komunale.
Sipas KSHZ, kjo shifër përfshin listat e kandidatëve nga partitë politike dhe listat e paraqitura nga grup votuesish.
Pasi të përfundojë verifikimi i përmbushjes së kushteve dhe procesi i heqjes së çdo parregullsie ose lëshimi në listat e kandidatëve, komisionet komunale zgjedhore i dorëzojnë listat e konfirmuara në KSHZ për përcaktimin e renditjes në listën unike të kandidatëve jo më vonë se data 20 shtator, shpjegojnë nga KSHZ-ja.
Pas përfundimit të procesit të kontrollit të dokumentacionit dhe përmbushjes së kërkesave ligjore KSHZ-ja do të publikojë të gjitha listat e konfirmuara sipas komunave që do të marrin pjesë në zgjedhje.
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 19 tetor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
