BALLKANI

Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, 46,65 për qind e qytetarëve shfrytëzuan të drejtën e votës deri në ora 18:30

Kreu i KSHZ-së, Boris Kondarko, njoftoi se sipas të dhënave të përpunuara deri në ora 18:30 në mbarë territorin e vendit të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 803.090 qytetarë apo 46,65 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve

Abdulbesar Ademi  | 19.10.2025 - Përdıtësım : 19.10.2025
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, 46,65 për qind e qytetarëve shfrytëzuan të drejtën e votës deri në ora 18:30 Foto: Umeys Sulejman/AA

Shkup

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) i Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se procesi në të gjitha vendvotimet ka vijuar i qetë me disa pengesa të vogla teknike dhe pa incidente serioze, raporton Anadolu.

Kreu i KSHZ-së, Boris Kondarko, në konferencën për media pas mbylljes së votimit të zgjedhjeve lokale njoftoi se sipas të dhënave të përpunuara deri në ora 18:30 në mbarë territorin e vendit të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 803.090 qytetarë apo 46,65 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve, të dhëna nga përpunimi i 94,62 për qind të qendrave të votimit.

Ai gjithashtu njoftoi se dalja e përgjithshme në nivel të Qytetit të Shkupit deri në orën 18:30 është 46,64 për qind.

Konkretisht, siç tha ai, në komunat e kryeqytetit, dalja në votime në Aerodrom deri në këtë kohë ishte 45,57 për qind, në Butel 49,71 për qind, në Gazi Babë 41,97 për qind, në Gjorçe Petrov 45,09 për qind, në Karposh 49,92 për qind, në Kisella Vodë 46,25 për qind, në Saraj 55,20 për qind, në Komunën Qendër 49,41 për qind, në Çair 51,27 për qind dhe në Shuto Orizari 35,33 për qind.

Të dhënat e KSHZ-së tregojnë se 1.832.415 qytetarë kishin të drejtë vote për të zgjedhur 80 kryetarë komunash dhe anëtarët e këshillave komunal në gjithë vendin dhe për kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe anëtarët e këshillit të Qytetit të Shkupit.

Dje, një ditë para zgjedhjeve, votuan të burgosurit, personat në arrest shtëpiak, personat e sëmurë dhe të pafuqishëm dhe personat në azile pleqsh.

KSHZ-ja duhet të shpallë rezultatet fillestare të zgjedhjeve lokale të 19 tetorit brenda 12 orëve pas mbylljes së procesit.

Në këtë proces zgjedhor, 309 kandidatë garuan për postin e kryebashkiakëve, ndërsa për këshillat komunal janë paraqitur 576 lista me gjithsej 10.490 kandidatë. Ndryshe, në këto zgjedhje morën pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 kandidatë të pavarur.

Zgjedhjet e sotme do të pasohen nga raundi i dytë më 2 nëntor, në komunat ku asnjë kandidat nuk arrin shumicën e nevojshme në raundin e parë që u mbajt sot.

Këto ishin zgjedhjet lokale të teta në Maqedoninë e Veriut, pas atyre të viteve 1996, 2000, 2005, 2009, 2013, 2017 dhe 2021.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.