BALLKANI

Zaev propozon zgjedhje të parakohshme

"Ne jemi viktima të një gabimi historik të BE-së, i cili ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te ne", theksoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Shpetim Hiseni  | 19.10.2019 - Përdıtësım : 20.10.2019
Zaev propozon zgjedhje të parakohshme ( Umeys Sulejman - Anadolu Agency )

Shkup

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, mbajti një konferencë për shtyp në Qeveri me rastin e mosmarrjes së datës për Maqedoninë e Veriut për çeljen e negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian (BE), dhe sugjeroi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend, raporton Anadolu Agency. (AA).

Në fjalën e tij, kryeministri Zaev rikujtoi se në Samitin e Udhëheqësve të BE-së që u mbajt në dy ditët e kaluara, Maqedonia e Veriut nuk mori datë për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE.

"Dy ditë më parë në Bruksel na u bë padrejtësi. Bashkimi Evropian nuk e bëri atë që premtoi. Ne kemi përmbushur të gjitha detyrimet tona. Ne i dorëzuam rezultatet e reformave, zgjidhëm çështjet me fqinjët dhe ata nuk e mbajtën fjalën e tyre. Fakti që Bashkimi Evropian nuk arriti të sjellë vendim për çeljen e negociatave me ne është gabimi i tyre historik dhe të gjithë liderët evropianë e kanë konfirmuar këtë. Ne kemi bërë gjithçka që mundëm dhe mund të bënim", tha Zaev dhe falënderoi, siç tha ai, shumicën e liderëve evropianë që luftuan për Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se ai e vlerësoi mbështetjen e tyre.

"Ne jemi viktima të një gabimi historik të BE-së dhe kjo për ne paraqet burim të zemërimit për të gjithë ne. Jam i zhgënjyer dhe i zemëruar dhe e di se i gjithë populli ynë ndjehet kështu, prandaj zemëimin dhe ngarkesën e qytetarëve e ndiej si një mbresë shtesë. Për mua personalisht, ky premtim i paplotësuar është një veprim jashtëzakonisht i keq dhe i padrejtë i Unionit dhe njëkohësisht një çështje serioze. Unë kështu e interpretoj këtë dhe assesi ndryshe. Por ky është vendimi i BE-së për shkak të çështjeve të tyre brendshme të pazgjidhura dhe këtë vendim ne nuk mund ta ndryshojmë. Megjithatë, ne jemi gjithashtu përgjegjës për vendimet tona që marrim për qytetarët tanë dhe për të ardhmen e Maqedonisë. Serioziteti i momentit aktual kërkon një vendim serioz nga unë dhe të gjithë ne", theksoi Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut tha se bazuar në bindjet e tij, çdo politikan duhet të jetë i përgjegjshëm, i ndershëm dhe i virtytshëm të marrë përsipër zhgënjimin e popullit të vet dhe të dalë para me përgjegjësi para qytetarëve.

“Unë qëndroj para jush dhe me porosi të qartë dhe me vendosmëri. Ëndrra evropiane e popullit maqedonas nuk do të shuhet. Ëndrra evropiane e maqedonasve, shqiptarëve, serbëve, vllehëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve nuk do të shuhet. Pra, të dashur qytetarë, me përgjegjësi qëndroj para vendimit tuaj. Tani është i nevojshëm qëndrimi juaj, ne nuk kemi kohë për të humbur dhe prandaj sugjerimi im është të organizojmë zgjedhje të shpejta të parakohshme. Zgjidhje sa më shpejtë që mundet. Zgjedhjet në të cilat ju, qytetarët, do të merrni një vendim dhe konfirmim të rrugës që duhet të ndjekë vendi ynë. Ky do të jetë propozimi im për takimin e nesërm të lidershipit me presidentin", tha Zaev.

Ndër të tjera, tha ai, qytetarët kanë mandat të vendosin "nëse duhet të shkojnë në rrugën e duhur drejt vlerave demokratike dhe evropiane, rrugën drejt zhvillimit dhe prosperitetit, rrugën që çon përpara, ose për të shkuar në rrugën e errët të izolimit, nacionalizmit, ndarjeve dhe konflikteve, pra rrugën e kthimit prapa".

Gjithashtu, në fjalimin e tij, Zaev theksoi se ai nuk do të lejojë "askënd të na e merr anëtarësimin tonë në NATO dhe të shkelë sigurinë dhe stabilitetin që ne fitojmë duke u bërë anëtar i NATO-s".

"Për ata që punuan shumë dhe uruan që të mos kemi datë për çeljen e negociatave dhe të cilët fshehtas ose publikisht gëzohen për dështimin e vendit të tyre, dua t'u them atyre të mos harrojnë se këtë populli do ta mbajë në mend, veçanërisht kur të dalin në qendrat e votimit, dhe kjo është shumë shpejt", deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut.

I pyetur për të komentuar se përkundër arritjes së Marrëveshjes së Prespës midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, e cila ishte kusht për hapjen e procesit të integrimit të vendit në BE, nuk u dha data për çelejn e bisedimeve të pranimit në BE, Zaev tha se arsyet e zgjerimit, metodologjia e zgjerimit, reformat në Evropë, po hapin debatin e tyre, pra Franca, kështu edhe BE, vendosën që nevojitet më tepër kohë.

Kujtojmë se në samitin e liderëve të vendeve anëtare të BE-së të premtën, nuk u arrit konsensus për çeljen e negociatave të pranimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Me këtë rast, presidenti i Maqedonisë së Veriut në fjalimin e tij para opinionit planifikoi nesër një takim liderësh, ku do të diskutohet situata aktuale.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın