Zaev: Nisma "Ballkani i hapur" është platformë për të cilën ka nevojë rajoni
Në pyetjen se a do t'i avancojë këto parime edhe me Kosovën ashtu sikurse me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, kryeministri Rama tha se jo vetëm ai, por të tre liderët kanë përsëritur se kjo nismë nuk është ekskluzive, por është inkluzive

Shkup
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka deklaruar se Ballkani prej kohësh ka qenë i rrethuar me mure dhe se nisma "Ballkani i hapur" është platformë për të cilën rajoni ka nevojë, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal të mbajtur sot në Shkup, kryeministri Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nënshkruan disa marrëveshje dhe shpallën zyrtarisht emërimin e nismës për bashkëpunim midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nisma që deri më sot është njohur si "Mini-Shengen" u emërua "Open Balkan" (Ballkani i hapur).
Iniciativa për të diskutuar idenë e kësaj nisme filloi në vitin 2019 me takime në Novi Sad dhe Ohër ndërsa më pas edhe në Durrës, me qëllimin përfundimtar angazhimin e përbashkët në eliminimin e të gjitha pengesave për qarkullim të lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, por Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina aktualisht nuk e mbështesin këtë nismë duke e quajtur atë pa qëllime të qarta për rajonin.
Në konferencën e përbashkët për media të liderëve të tre vendeve pas përfundimit të forumit, kryeministri Zaev tha se sot në Shkup hapen perspektiva të reja për vendet, popujt, ekonomitë dhe shoqëritë e vendeve.
"Ballkani për një kohë të gjatë ka qenë i rrethuar me mure. Sot, në vend të mureve ndërtuam ura të reja. Nisma 'Ballkani i hapur' është platformë për të cilën rajoni ka nevojë. Qindra takime dypalëshe po mbahen sot këtu midis kompanive nga rajoni ynë", u shpreh Zaev.
Memorandumi i bashkëpunimit për qarkullim të shpejtë të mallrave, i nënshkruar sot midis tre liderëve, sipas kryeministrit Zaev do të lehtësojë ndjeshëm importin, eksportin dhe tranzitin e mallrave.
"Populli maqedonas, ai shqiptar dhe ai serb kanë të njëjtën rrugë përpara, kemi të njëjtin vizion dhe të njëjtat vlera. Këto janë vlera evropiane, ne po ndjekim të njëjtën rrugë së bashku, përpara dhe të lidhur", deklaroi Zaev.
Ndër të tjera, ai tha se kjo nismë po ecën përpara dhe se bashkëpunimi do të zgjerohet në fusha të tjera me interes të përbashkët dhe të rëndësishëm për të tre vendet.
Ndërkaq, presidenti Vuçiç theksoi se Serbia do të jetë një partner i besueshëm për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në rrugën e afrimit të mëtejshëm, stabilitetit rajonal dhe për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët.
"Ne nuk kemi një rrugë të lehtë para nesh, këto janë ide fantastike me një vizion të madh. Ne duhet të punojmë shumë, duhet t'i bindim njerëzit tanë që të jenë të dobishëm dhe rezultatet të dorëzohen në kohë", tha Vuçiç.
Ai po ashtu theksoi se gjëra shumë më të mira mund të bëhen së bashku sesa kur jemi vetëm.
Ndër të tjera, presidenti serb tha se kjo nismë është bërë në mënyrë që qytetarët të jenë të kënaqur, të ndiejnë progres dhe të shohin se ajo që ne po bëjmë ka kuptim.
Liderët e tre vendeve të Ballkanit Perëndimor po ashtu u pajtuan që takimet e vjeshtës së nismës "Ballkani i hapur' të mbahen në Tiranë dhe Beograd.
- Rama: Kushdo që dëshiron të bashkohet në këtë nismë është i mirëpritur
Kryeministri Rama tha se sot kanë nënshkruar një marrëveshje për të qenë bashkë në të gjitha sfidat, duke shtuar se kushdo që dëshiron të bashkohet në këtë nismë është i mirëpritur. Ai theksoi se nuk i kupton arsyet e refuzimit për t'iu bashkuar kësaj nisme Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, por shtoi se i di arsyet çfarë mendon Kosova dhe se është kundër qëndrimit të tyre.
Në pyetjen se a do t'i avancojë këto parime edhe me Kosovën ashtu sikurse me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, kryeministri Rama tha se jo vetëm ai, por të tre liderët kanë përsëritur se kjo nismë nuk është ekskluzive, por është inkluzive.
"Kjo nismë është një nismë e hapur dhe e lirë për të gjitha vendet që të veprojnë sipas interesit dhe logjikës së tyre. Shqipëria do ta bëjë këtë proces me të gjithë kur dhe si të jetë e mundur. Dhe, nga ana tjetër, nuk ka për ne asnjë problem nëse dikush tjetër nuk do ta bëjë apo do ta bëjë pjesërisht. Ne duam që komunitetet e vendeve tona, qofshin qytetarë apo subjekte biznesi, të kenë një hapësirë lirie evropiane brenda rajonit tonë", tha ai.
Ai shtoi se Serbia dhe presidenti serb kanë bërë një "ekstra-milje" duke pranuar që nisma të jetë jo vetëm gjithëpërfshirëse, por të shkojë përtej Procesit të Berlinit kur vjen fjala për lëvizjen e lirë të qytetarëve.
"Do të thotë që në këtë aspekt nuk ka asnjë shoqëri në këtë territor që të jetë e diskriminuar, nuk ka asnjë qytetar në këtë rajon që të jetë i diskriminuar. Dhe përtej çështjes së hapur mes Serbisë dhe Kosovës, kjo nismë u thotë popujve, individëve dhe bizneseve që ju jeni të barabartë përtej faktit që në nivelin shtetëror dhe institucional ka një çështje që është ende e hapur dhe është në rrugën e trajtimit me dialogun e vështirë midis dy vendeve", u shpreh Rama.
Kosova ka mohuar këtë nismë duke e quajtur atë "pa vizion për rajonin". Qeveria e Kosovës u ka bërë thirrje qeverive të rajonit që "të mbeten të përkushtuara ndaj agjendës së Bashkimit Evropian (BE) dhe marrëdhënieve transatlantike".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.