Zaev: Anëtarësimi në NATO, më shumë stabilitet dhe siguri për rajonin
Zaev ishte pjesë e panelit të diskutimit "Mbrojtja dhe parandalimi në epokën e re", në kuadër të konferencës "NATO angazhohet: Përtërirja e aleancës"

Shkup
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se anëtarësimi në NATO është arritje me vlerë pasi ai do të thotë më shumë siguri, stabilitet dhe përfitime edhe në aspektin ekonomik për rajonin, raporton Anadolu Agency (AA).
Së bashku me presidentin polak Andrzej Duda, Zaev ishte pjesë e panelit të diskutimit "Mbrojtja dhe parandalimi në epokën e re", në kuadër të konferencës "NATO angazhohet: Përtërirja e aleancës", me rastin e shënimit të 70-vjetorit të NATO-s në Londër.
"(Anëtarësimi në NATO) Për rajonin, për Ballkanin Perëndimor, Evropën Juglindore, është një arritje me vlerë, sepse do të thotë më shumë stabilitet dhe siguri, si dhe investime, investime të huaja dhe direkte", deklaroi Zaev.
Zaev tha se në të kaluarën, rajoni ka qenë "përplot" me konflikte dhe shtoi se anëtarësimi në aleancë sjell stabilitet dhe siguri.
Ai theksoi se vendi e tij ka ndryshuar emrin për të ndërtuar marrëdhënie të mira me fqinjët, duke shtuar se Maqedonia e Veriut është vend pa konteste të hapura bileterale.
I pyetur në lidhje me pragun e kërkuar nga SHBA për shpenzime prej 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtje në kuadër të NATO-s, kryeministri i Maqedonisë së Veriut tha se vendi i tij ka bërë një arritje duke dyfishuar shpenzimet në fushën e mbrojtjes nga 0,8 në më shumë se 1,4 për qind të PBB-së.
"Qëllimi nuk është më larg se viti 2024 për të arritur 2 përqindëshin. Mendoj se ne do ta arrijmë këtë më herët. Për momentin, ne shpenzojmë më shumë se 20 për qind, aktualisht 24 për qind, për modernizimin e ushtrisë sonë, që është një gjë shumë e rëndësishme", tha Zaev, duke shtuar se kjo është gjë e rallë në vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian (BE).
Më tej gjatë panelit, Zaev e cilësoi si "jo të drejtë" bllokimin e Francës për hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE.
"Ne jemi vend kandidat për 15 vjet dhe kemi dhjetë rekomandime pozitive. Të gjitha 28 vendet e Këshillit të BE-së konfirmojnë se ne kemi përmbushur 100 për qind të reformave. Për më tepër, ne gjetëm zgjidhje me Bullgarinë, gjetëm zgjidhje me marrëveshjen historike me Greqinë, me të cilën ne e ndryshuam emrin kushtetues", deklaroi kryeministri Zaev, i cili theksoi se vendi i tij është zhgënjyer nga vendimi i Francës për të mos hapur negociatat.
"Shpresoj që ky gabim, sepse ky ishte gabim, jo vetëm për ne, por edhe për Evropën, do të ndryshohet së shpejti", shtoi Zaev.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.