BALLKANI

Xhamia Kushlat mes tokës dhe qiellit në Bosnjën lindore sfidon kohën

Duke u mbajtur për shkëmbin sikur të jetë e varur midis tokës dhe qiellit, në Xhaminë Kushlat arrihet vetëm përmes një shtegu të ngushtë pyjor, me një pamje aq madhështore të kodrave, luginave dhe lumit përreth sa që vendasit e quajnë xhamia në qiell

Vesna Besic  | 19.09.2025 - Përdıtësım : 19.09.2025
Xhamia Kushlat mes tokës dhe qiellit në Bosnjën lindore sfidon kohën Foto: Samır Jordamovıc/AA

Zvornik

Lart mbi kanionin e lumit Drinjaça, mbi një shkëmb që ngrihet 500 metra në ajër, qëndron një nga monumentet më të pazakonta të Bosnjë e Hercegovinës, Xhamia Kushlat.

E ndërtuar në shekullin e 15-të, menjëherë pas mbërritjes së osmanëve, xhamia konsiderohet si një nga më të vjetrat në vend. Duke u mbajtur për shkëmbin sikur të jetë e varur midis tokës dhe qiellit, aty arrihet vetëm përmes një shtegu të ngushtë pyjor.

Ata që ngjiten "shpërblehen" me një pamje madhështore të kodrave, luginave dhe lumit përreth, një pamje aq mbresëlënëse sa vendasit e quajnë "xhamia në qiell".

- Dëshmitar i historisë

Për shekuj me radhë, Xhamia Kushlat ka qenë më shumë se thjesht një vend i lutjes.

"Ky është një vend i rëndësishëm për historinë tonë, për historinë e vendit tonë, ndërsa sot është po ashtu një atraksion turistik popullor", tha për Anadolu, 21-vjeçari Ahmed Huremoviq nga Kalesija, i cili shpesh e viziton këtë vend për të gjetur paqe dhe qetësi.

"Historia këtu është e pasur. Që nga koha romake deri në shekullin e 19-të, ku vend ishte i banuar. Kushlati mbetet i rëndësishëm, edhe pse xhamia nuk përdoret për lutje të përditshme", shtoi ai.

Vetë vendi daton që nga koha e osmanëve. Përpara mbërritjes së tyre, Kushlati ishte një qytet mesjetar i fortifikuar, që mbronte karvanët dhe udhëtarët që kalonin nëpër rajon.

Xhamia u përmend edhe nga shkrimtari osman i udhëtimeve Evliya Çelebi, i cili shkroi se u ndërtua gjatë mbretërimit të Sulltan Mehmedit II, i njohur si Ebul Feth.

Emri i xhamisë vjen nga fjala turke "kuş", që do të thotë zog. Gratë vendase qëndisnin skifterë të lidhur me Kushlat, ndoshta si suvenire për tregtarët dhe udhëtarët.

- Shkatërrimi dhe restaurimi

Xhamia Kushlat u dogj në vitin 1993 gjatë luftës së Bosnjë e Hercegovinës, por u restaurua në formën e saj origjinale dhe në vendndodhjen e saj origjinale në vitin 2013. Që atëherë, traditat janë ringjallur, përfshirë lutjet e përbashkëta, namazin e xhumasë, çdo vit të premten e fundit të muajit gusht dhe në vitet e fundit edhe namazin e xhumasë gjatë Ramazanit.

Sot, Xhamia Kushlat qëndron si një relike e së kaluarës, por edhe si simbol i qëndrueshmërisë, një kujtesë se trashëgimia kulturore dhe shpirtërore e Bosnjë e Hercegovinës vazhdon të jetojë pavarësisht shkatërrimit dhe kalimit të kohës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.