Xhamia e Plumbit në Shkodër e restauruar nga Turqia nuk u ndikua nga përmbytjet e fundit
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, ka publikuar një video nga Xhamia e Plumbit, duke theksuar se ndërhyrjet restauruese dhe konservuese kanë mundësuar ruajtjen e plotë të vlerave të këtij objekti
Tiranë
Xhamia e Plumbit në Shkodër nuk është ndikuar nga përmbytjet e fundit, falë punimeve restauruese dhe infrastrukturore të realizuara me mbështetjen financiare të Turqisë, transmeton Anadolu.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, në rrjetet sociale ka publikuar një video nga Xhamia e Plumbit, duke theksuar se ndërhyrjet restauruese dhe konservuese, të realizuara me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë, kanë mundësuar ruajtjen e plotë të vlerave të këtij objekti.
"Pavarësisht reshjeve intensive të shiut gjatë orëve të fundit, në Xhaminë e Plumbit, një objekt me vlera të rralla historike dhe kulturore, nuk janë evidentuar problematika. Pompat vijojnë të operojnë në kapacitet të plotë dhe sistemi i mbrojtjes funksionon normalisht, duke garantuar monumentin nga përmbytjet", ka theksuar Gonxhja.
Në vitet e kaluara kjo xhami përmbytej gjatë reshjeve të shiut që përfshin Qarkun e Shkodrës.
Xhamia e Plumbit në Shkodër, pas restaurimit me mbështetjen financiare të Turqisë rifitoi shkëlqimin e dikurshëm dhe u hap për besimtarët në maj të vitit 2025.
- Historiku i Xhamisë së Plumbit në Shkodër
Xhamia e Plumbit është xhamia më e madhe e stilit osman që ruhet në Shqipëri, me ndërthurjen edhe të arkitekturave të tjera.
Xhamia është ndërtuar nga Mehmet Pashë Bushati në vitin 1773-1774, duke shërbyer për një kohë të gjatë si xhamia më e madhe e vendit.
Xhamia e Plumbit në vitin 1948 u shpall monument kulturor, duke pasur statusin e mbrojtjes nga shteti.
Në vitin 1967, kur edhe zyrtarisht u ndalua feja në Shqipëri, xhamia pësoi dëmtime, sidomos me rrënimin e minares, ndërkohë në periudha të ndryshme ajo nuk është përdorur zyrtarisht për kryerjen e riteve.
Ajo mbetet një xhami simbol në Shqipëri, pasi rihapi dyert për besimtarët muslimanë më 16 nëntor të vitit 1990 pas ndalimit shumëvjeçar të fesë në vend gjatë periudhës së komunizmit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
