Xhamia e Plumbit në Shkodër rifiton shkëlqimin e dikurshëm pas restaurimit nga Turqia
Xhamia u inaugurua më 8 maj të këtij viti pas restaurimit me mbështetjen financiare të Turqisë dhe tashmë ajo pret besimtarët për ritet fetare, por me shkëlqimin e saj tërheq edhe vëmendjen e vizitorëve vendas dhe të huaj

Shkodër
Xhamia e Plumbit në Shkodër, pas restaurimit me mbështetjen financiare të Turqisë ka rifituar shkëlqimin e dikurshëm.
Xhamia u inaugurua më 8 maj të këtij viti pas restaurimit dhe tashmë ajo pret besimtarët për ritet fetare, por me shkëlqimin e saj tërheq edhe vëmendjen e vizitorëve vendas dhe të huaj.
Kjo xhami është cilësuar si një ndër 50 monumentet më të bukura të botës dhe pas restaurimit ka rifituar shkëlqimin e dikurshëm
Historiku i Xhamisë së Plumbit në Shkodër
Xhamia e Plumbit është xhamia më e madhe e stilit osman që ruhet në Shqipëri, me ndërthurjen edhe të arkitekturave të tjera.
Xhamia është ndërtuar nga Mehmet Pashë Bushati në vitin 1773-1774, duke shërbyer për një kohë të gjatë si xhamia më e madhe e vendit.
Xhamia e Plumbit në vitin 1948 u shpall monument kulturor, duke pasur statusin e mbrojtjes nga shteti.
Në vitin 1967, kur edhe zyrtarisht u ndalua feja në Shqipëri, xhamia pësoi dëmtime, sidomos me rrënimin e minares, ndërkohë në periudha të ndryshme ajo nuk është përdorur zyrtarisht për kryerjen e riteve.
Ajo mbetet një xhami simbol në Shqipëri, pasi rihapi dyert për besimtarët muslimanë më 16 nëntor të vitit 1990 pas ndalimit shumëvjeçar të fesë në vend gjatë periudhës së komunizmit.
Restaurimi nga Turqia
Puna për restaurimin e Xhamisë së Plumbit në Shkodër filloi në shtator të vitit 2022, me mbështetjen financiare të Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë.
Për vite me radhë, kjo xhami e rrallë në Ballkan ishte e papërdorshme nga besimtarët, pasi ishte e dëmtuar dhe shpesh përfshihej edhe nga përmbytjet.
Puna restauruese konsistonte në ndërtimin e minares së re, kompletimin e ambienteve të brendshme, zëvendësimin e shtresës së plumbit në kupolat e saj, si dhe në sistemimin e ambientit përreth për të shmangur përmbytjet dhe dëmtimet e tjera.
Ajo tashmë shkëlqen dhe pret besimtarët çdo ditë, me ambientet e saj të restauruara.
Besimtarët janë të lumtur që kryejnë ritet në Xhaminë e Plumbit
Disa prej besimtarëve të Shkodrës, por edhe të qyteteve të tjera përreth, shkojnë për herë të parë pas shumë vitesh në këtë xhami, por ka nga ata që kanë kryer ritet dhe kur xhamia ishte e shkatërruar.
Rexhep Bellova, 78-vjeç, pas shumë vitesh është rikthyer në këtë xhami për të falur namazin e xhumasë, ndërkohë ai ka përjetuar edhe namazet para se xhamia të prishej nga regjimi komunist.
Duke folur për Anadolu, Bellova shprehet se rikthimi i xhamisë është një fat i madh për gjithë banorët e Shkodrës.
"Unë vij për herë të parë në këtë xhami me fal namazin pas shumë vitesh. Për mendimin tim kjo është një dhuratë e madhe për gjithë këtë zonë këtu. Kjo është fat për të rinjtë, por edhe për ne pleqtë (të moshuarit) që arritëm të shikojmë dhe të falim namaz këtu në këtë xhami. Turqia është e nderuar dhe e respektuar që ka bërë këtë investim kaq me vlerë", tha Bellova.
Herion Maho, 55-vjeç, tregon se ai ka fal namazin në këtë xhami edhe më 16 nëntorin e vitit 1990 kur u rihap pas shumë vitesh dhe sipas tij rihapja edhe një herë ishte një gëzim shumë i madh.
"Ishte gëzim i madh shumë me e pa dhe një herë, ishte emocion i jashtëzakonshëm. Namazin e parë (pas restaurimit) kam ardhur një natë e kam fal vetëm dhe mu bë zemra mal", tha ai, duke shtuar "faleminderit shumë qeverisë turke, presidentin (Recep Tayyip) Erdoğan në veçanti".
Një tjetër besimtar që foli për Anadolu është edhe Senad Kraja, 38-vjeç, cili tha se ishte xhumaja e parë që ai vjen në xhaminë e restauruar, duke treguar se ndihet jashtëzakonisht i emocionuar.
"Është diçka e mrekullueshme. Falë shtetit turk ne arritëm që ky objekt të ruajë vlerat ashtu siç i ka pasur dhe të jetë në këtë madhështi. Ne e falënderojmë shumë shtetin turk. Ne jemi shumë mirënjohës për çdo vepër, për çdo punë që ka bërë në shtetin tonë, edhe në Shkodër", tha ai.
Muamer Vuci, 80-vjeç u shpreh se kjo xhami është një mrekulli në Ballkan.
"Sot jemi krenarë ne shkodranët, sepse kjo xhami është me tradita dhe një xhami e njohur historikisht në tërë Ballkanin. Faleminderit popullit mik turk, qe një investim i madh, serioz dhe i plotë", tha Vuci.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.