BALLKANI

"Xhamia e Artë", perla e maleve Rodop në Bullgari e ndërtuar me përpjekje kolektive pa shpenzuar para

"Kupolat e xhamisë janë bërë prej metali me ngjyrë ari. Njerëzit zgjodhën emrin e saj, duke thënë: 'Le të jetë Xhamia e Artë'", tha muftiu rajonal i Bllagoevgradit, Osman Kutrev

Ihvan Radoykov  | 28.10.2025 - Përdıtësım : 28.10.2025
"Xhamia e Artë", perla e maleve Rodop në Bullgari e ndërtuar me përpjekje kolektive pa shpenzuar para Foto: Ihvan Radoykov/AA

Gospodintsi

IVO RADOYKOV

"Xhamia e Artë", e njohur në vend si perla e maleve Rodop në fshatin Gospodintsi në Bullgarinë jugperëndimore, u ndërtua nëpërmjet përpjekjeve kolektive bashkëpunuese pa shpenzimin e asnjë qindarke, raporton Anadolu.

Osman Kutrev, muftiu rajonal i Bllagoevgradit, qendra provinciale e fshatit të njohur si "Chirapol" gjatë periudhës osmane, ia prezantoi xhaminë gazetarit të AA-së duke thënë: "Kjo kryevepër, të cilën e përfunduam saktësisht për tre vjet, u ndërtua me përkushtimin e palëkundur të qindra njerëzve, pa shpenzuar asnjë qindarkë".

Ai theksoi se kjo xhami, e vendosur pranë kufirit me Greqinë fqinje, është e vetmja xhami e dukshme nga rruga nga veriu i atij vendi drejt kryeqytetit, Sofje. "Kupolat e xhamisë janë bërë prej metali me ngjyrë ari. Njerëzit zgjodhën emrin e saj, duke thënë: 'Le të jetë Xhamia e Artë'. Të gjithë ata që kalojnë këtu pajtohen se ky emër ishte zgjedhja e duhur", shtoi Kutrev.

"Të gjithë, muslimanë dhe jomuslimanë, kontribuan në këtë ndërtim me punën dhe përkushtimin e tyre, sepse një xhami është një vend që i bashkon njerëzit", deklaroi Kutrev i cili shpjegoi se qilimat, minberi, mihrabi dhe llambadarët e xhamisë u sollën në xhami me donacione dhe ndihmë nga qytetarët nga Turqia.

Arkitekti Valentin Tufekçiev i cili e projektoi xhaminë falas, pas faljes së namazit në këtë xhami tha për AA se "Ne e projektuam këtë xhami tërësisht në përputhje me traditën klasike arkitekturore osmane, deri në detajet më të vogla. Kjo vepër është gëzim dhe shprehje nderi për ne dhe përgjegjësi ndaj komunitetit tonë".

"Siç mund të shihet, të gjithë ata që kalojnë këtu e shohin me admirim këtë monument që fshati ynë ka arritur", tha Tufekçiev.

Kryeplaku i Gospodintsit, Ahmed Khocov tha se "Xhamia e Artë, e ndërtuar me punën e palodhur të popullit tonë, konsiderohet një xhevahir midis vend-adhurimeve islame në rajon dhe në të gjithë vendin. Kur njerëzit shohin xhaminë tonë të bukur, thonë 'Kjo është perla e maleve Rodop'".

Ai tha se xhamia ka transformuar pamjen e qytezës Goce Delçev që është e lidhur me Gospodintsin. "Xhamia jonë, e vendosur në një vendndodhje shumë strategjike, u ndërtua nga duart e arta të popullit tonë me zemër të artë", tha Khocov.

Imami i xhamisë, Sefer Bayraktarov, i cili u jep mësime Kurani nxënësve vendas gjatë fundjavave tha: "Kjo xhami nuk është e jona, është dhuratë për të gjithë muslimanët". Ai shpjegoi përkushtimin intensiv të vendasve ndaj fesë së tyre.

"Madhështia e kësaj xhamie të bukur e cila sapo është hapur për adhurim, e ka forcuar më tej dashurinë tonë për fenë tonë. Falë arkitekturës së saj, brendësia e xhamisë është e mbushur me dritë si besimi ynë. Mozaikët shumëngjyrësh në dritare përfaqësojnë diversitetin e popullit tonë", tha Bayraktarov.

"Xhamia e Artë", e hapur 24 orë në ditë për vizitorët dhe adhurimin në fshatin Gospodintsi, është destinacion popullor për turistët vendas dhe ndërkombëtarë që kalojnë aty, sepse është e dukshme nga rruga kryesore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.