Vuçiq vlerëson lidershipin e presidentit Erdogan dhe mbështet forcimin e bashkëpunimit dypalësh
Vuçiq tha se Turqia është “një partner jashtëzakonisht i rëndësishëm për Serbinë,” duke theksuar peshën e saj politike, si dhe rolin në ekonomi, industrinë e mbrojtjes dhe teknologji
Ankara
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka lavdëruar lidershipin e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, si dhe ka shprehur mbështetje për një bashkëpunim më të thellë ekonomik, politik dhe të sigurisë midis dy vendeve, raporton Anadolu.
“Jam vërtet shumë i kënaqur që ndodhem këtu”, tha Vuçiq në Kompleksin Presidencial në Ankara gjatë një konference të përbashkët për media me Erdoganin, duke i përshkruar bisedimet e tyre si “një dialog shumë të hapur dhe të sinqertë” midis dy miqve të vjetër që flasin “me respekt të madh për njëri-tjetrin”.
“Kur flas me ju, e bëj këtë me respektin më të madh, si për një lider të madh, jo vetëm të Turqisë, por edhe të rajonit dhe në të vërtetë një lider me ndikim global”, tha Vuçiq, duke theksuar se çështjet e diskutuara dhe përfundimet e arritura ishin “shumë të rëndësishme”.
Vuçiq tha se Turqia është “një partner jashtëzakonisht i rëndësishëm për Serbinë,” duke theksuar peshën e saj politike, si dhe rolin në ekonomi, industrinë e mbrojtjes dhe teknologji.
Ai theksoi se kompanitë turke po investojnë në pjesë të ndryshme të Serbisë, veçanërisht në rajonet më pak të zhvilluara jugore, duke krijuar “mundësi shumë të rëndësishme punësimi.”
Presidenti serb gjithashtu iu referua projekteve madhore infrastrukturore që përfshijnë institucione publike turke dhe kompani private, përfshirë zhvillimet rrugore dhe hekurudhore, si dhe shprehu shpresën që vizita e ardhshme e presidentit Erdogan në Serbi të jetë më e madhja ndonjëherë, me “marrëveshje shumë të rëndësishme” për t’u nënshkruar.
“E mbështes fuqishëm nismën e presidentit Erdogan për Platformën e Paqes në Ballkan”, tha Vuçiq, duke shtuar se bashkëpunimi rajonal është “jashtëzakonisht i rëndësishëm”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
