Vuçiq pas takimit me kancelarin Stocker: Austria një vend shumë i rëndësishëm për Serbinë
"Diskutuam për reformat në fushën e sundimit të ligjit, përfshirë domosdoshmërinë e dialogut me Prishtinën si e vetmja mënyrë e mundshme për të kapërcyer tensionet dhe krizat që ekzistojnë", tha presidenti serb Vuçiq pas takimit me kancelarin Stocker

Sarajevë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha pas një takimi me kancelarin austriak Christian Stocker në Beograd, se Austria është një vend shumë i rëndësishëm për Serbinë dhe se ajo gjithmonë mund të llogarisë në mbështetjen e Austrisë në rrugën e saj evropiane, raporton Anadolu.
"Duhet të them se kancelari Christian Stocker shprehu dëshirën e tij për koordinim më të madh në politikën e jashtme të Serbisë. Bëra çmos për të shpjeguar qëndrimin e Serbisë dhe shpreh edhe një herë mirënjohjen time të madhe ndaj kancelarit që ishte sot në Beograd", tha Vuçiq në konferencën e përbashkët për media pas takimit.
Sipas tij, ai diskutoi gjithashtu mbi lëvizjet migratore me kancelarin, në të cilat ekziston bashkëpunim i shkëlqyer midis Ministrisë së Brendshme dhe se ai pret që kjo të vazhdojë të funksionojë mirë në periudhën e ardhshme, megjithëse pret përkeqësim të ndjeshëm në të gjithë kufijtë tanë jugorë dhe një mbërritje të re të strukturave migratore nga vjeshta.
"Por, unë besoj se me mbështetjen e miqve, ndihmën e konsiderueshme nga Budapesti dhe Vjena, por edhe nga partnerë të tjerë evropianë, ne mund ta ruajmë, do të thoja, Evropën", tha Vuçiq.
- Mbështetje dhe ndihmë
Presidenti serb Vuçiq deklaroi se "Serbia gjithmonë ka mbështetje dhe ndihmë në rrugën e saj evropiane nga Austria".
"Diskutuam mbi reformën në fushën e sundimit të ligjit, përfshirë domosdoshmërinë e dialogut me Prishtinën si e vetmja mënyrë e mundshme për të kapërcyer tensionet dhe krizat që ekzistojnë", tha Vuçiq. Siç shtoi ai, ata theksuan domosdoshmërinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin.
"Besoj se gjithmonë mund të kemi, siç kemi bërë deri më tani, mbështetje të konsiderueshme nga miqtë tanë austriakë në rrugën tonë evropiane", tha Vuçiq. Ai tha se mori letër me shkrim nga Stocker, të nënshkruar nga kancelari, që konfirmonte pjesëmarrjen e Austrisë në ekspozitën ndërkombëtare të specializuar "Expo 2027" në Beograd.
"Austria është një vend shumë i rëndësishëm për Serbinë. Është investitori i tretë, pas Kinës dhe Holandës, e ndjekur nga Gjermania, Rusia dhe të gjithë të tjerët. Faleminderit Austrisë që investoi shumë para në vendin tonë", tha Vuçiq.
Ai shtoi se aty ku ka vend për përmirësim është bashkëpunimi tregtar.
"Shërbimet tona janë në nivel relativisht të lartë, por bashkëpunimi ynë tregtar prej rreth 1 miliard e 783 milionë eurosh nga viti 2024, besojmë se mund të jetë edhe më i mirë, edhe më i madh, dhe jam i sigurt se kjo do të kontribuojë në përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të përgjithshme, veçanërisht atyre politike midis Vjenës dhe Beogradit", tha Vuçiq.
Më tej ai shtoi se takimi i sotëm ishte një mundësi për të diskutuar për tema me rëndësi për situatën politike dhe të sigurisë në rajon si dhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Austrisë.
- Të mbrohet rajoni nga përpjekjet për destabilizim
Kancelari austriak Stocker tha se Austria është investitori i tretë më i madh në Serbi, ku operojnë mbi 800 kompani austriake, duke siguruar rreth 25 mijë vende pune.
"Ne duam ta thellojmë atë partneritet sot dhe kjo është ajo që shërben nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, kjo deklaratë që kemi vendosur në dokument. Në këtë drejtim, jam shumë i kënaqur që me këtë dokument kemi nisur forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe kjo ka të bëjë kryesisht me fushat e hidroenergjisë dhe biomasës, por edhe me telekomunikacionin, trajtimin e ujërave të zeza, infrastrukturën dhe logjistikën e transportit", tha Stocker.
Ai tha se fakti që ekspozita do të mbahet në Ballkanin Perëndimor për herë të parë në vitin 2027 është potencial i rëndësishëm për të ardhmen e të gjithë rajonit dhe se është shumë i kënaqur që ka konfirmuar pjesëmarrjen e Austrisë në këtë ngjarje.
Kancelari austriak foli edhe për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
"Në dritën e sulmit rus dhe luftës në Ukrainë, stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është me rëndësi themelore për Bashkimin Evropian dhe për Austrinë. Është edhe më e rëndësishme për mua të përmend se të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor i përkasin familjes evropiane dhe është gjithashtu e rëndësishme të mbrohet rajoni nga përpjekjet për destabilizim dhe të promovohen shtyllat themelore të BE-së, të drejtat e njeriut, liria e fjalës dhe bashkëjetesa demokratike, në planin e jashtëm", tha Stocker.
Kancelari Stocker dhe kryeministri serb Gjuro Macut, në prani të presidentit Vuçiq, nënshkruan sot deklaratë të përbashkët mbi thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike midis Serbisë dhe Austrisë.