BALLKANI

Vuçiq në Bruksel: Serbia po ta njihte nesër Kosovën, do të hynim në BE

“Nesër le të vendosim sanksione ndaj Rusisë. Nesër të themi se po e njohim Kosovën. Ja ku jemi në BE, kur të doni. Vetëm më tregoni, a doni që kjo të jetë politika? Nuk mendoj se duhet ta njohim Kosovën e pavarur...”, tha Vuçiq

Kemal Zorlak  | 04.11.2025 - Përdıtësım : 04.11.2025
Vuçiq në Bruksel: Serbia po ta njihte nesër Kosovën, do të hynim në BE

Bruksel/Beograd

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar në Bruksel se “doktrina e botës serbe” kurrë nuk ka ekzistuar si politikë zyrtare e Serbisë, duke theksuar se bëhet fjalë për një koncept të trilluar me të cilin, sipas tij, arsyetohen politikat anti-serbe në rajon dhe përpjekjet për krijimin e një aleance ushtarake kundër Beogradit, raporton Anadolu.

Duke folur në një konferencë për media pas një takimi me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, Vuçiq u përgjigj pyetjeve në lidhje me rrugën evropiane të Serbisë, raportin e e Komisionit Evropian për progresin e Serbisë, si dhe marrëdhëniet në rajon.

I pyetur nga gazetarët nëse ekziston frika që Serbia të mbetet në “dhomën e pritjes” të Bashkimit Evropian (BE), Vuçiq tha se përpara Serbisë qëndron një zgjedhje e qartë.

“Nesër të vendosim sanksione ndaj Federatës Ruse. Nesër, fjalë për fjalë, nesër të themi se po e njohim Kosovën. Ja ku jemi në BE, kur të doni. Vetëm më tregoni, a dëshironi që kjo të jetë politika? Nuk mendoj se duhet ta njohim Kosovën e pavarur. Kjo është çështje e pastër gjeopolitike”, tha Vuçiq.

Duke iu referuar raportit të Komisionit Evropian për progresin e Serbisë, Vuçiq tha se sipas atij dokumenti është vërejtur hap prapa “vetëm në fushën e lirisë së medias” dhe theksoi se këtë nuk e kupton.

“Si kemi bërë hapa prapa, kur nuk kemi arrestuar dhe shkatërruar asnjë. Nuk ishim ne që sulmuam protestuesit, por protestuesit sulmuan gazetarët që mendojnë ndryshe. Nuk e di vërtetë çfarë kemi bërë. Duhet dikush të ma shpjegojë. Përveç nëse më thotë ‘po i referohem Reporterëve pa Kufij apo Freedom House-t ose nuk e di ndonjë dege tjetër të tyre’, sepse këto argumente nuk mund t’i pranoj të tilla të pakuptimta”, tha Vuçiq.

I pyetur për disa pretendime se Serbisë mund t’i “ndalohet hyrja në BE” në bazë të këtij raporti, presidenti Vuçiq tha se “dera është e hapur pak”, duke shtuar se “kjo varet nga ne dhe nga vendimet tona”.

Më tej, ai komentoi deklaratën e presidentit bullgar, Rumen Radev, i cili paralajmëroi BE-në për doktrinën e supozuar të “botës serbe”. Sipas presidentit serb, kjo ka të bëjë me fushatën zgjedhore në Bullgari.

“Ata e kanë shpikur shprehjen ‘bota serbe’.ndoshta ata kanë ‘botë bullgare’, nuk e di. Por ne ‘botën serbe’ nuk e kemi, as si doktrinë dhe as si politikë. Kurrë në jetën time nuk e kam shqiptuar atë fjalë, asnjëherë. Por atyre u ka konvenuar, sepse nga ajo bënin një batutë, për të arsyetuar politikën e tyre anti-serbe. Sepse duhet ta arsyetojnë, si kroatët, ashtu edhe Prishtina, Tirana, ndoshta edhe Sofja në të ardhmen, pse po e krikojnë një aleancë ushtarake kundër Serbisë. Kjo kurrë nuk ka qenë pjesë e politikës zyrtare të Serbisë”, tha Vuçiq.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın