Politikë, BALLKANI

Vuçiq e cilëson si "të turpshëm" vendimin për pranim të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës

“Ne do të marrim vendime në lidhje me Këshillin e Evropës... Besoj se reagimi duhet të jetë i fuqishëm, serioz dhe i përgjegjshëm. Nuk dua të them se si do të jetë ky reagim në kuptimin përfundimtar”, tha presidenti serb

Alma Dekovic  | 29.03.2024 - Përdıtësım : 02.04.2024
Vuçiq e cilëson si "të turpshëm" vendimin për pranim të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës Foto: Filip Stevanovic/AA

Beograd

Presidenti i Serbisë, Alenksandar Vuçiq, e cilësoi si “të turpshëm” vendimin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PSVE), i cili dha një opinion pozitiv për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, raporton Anadolu.

Në një konferencë për media të mbajtur në Beograd, Vuçiq foli rreth ndodhive në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, duke u shprehur se Serbia është nën "presion të përgjithshëm" për shkak të pozicionit të saj ushtarako-politik dhe neutralitetit ushtarak, si dhe qëndrimit të saj ndaj konfliktit në Ukrainë dhe qëndrimit të Beogradit për të mos iu bashkuar sanksioneve ndaj Federatës Ruse.

“Ne do të marrim vendime në lidhje me Këshillin e Evropës. Jam i gatshëm të dëgjoj mendimin jo vetëm të shumicës parlamentare, të Qeverisë, por edhe të përfaqësuesve të të gjitha partive politike në Serbi se cili duhet të jetë reagimi i Serbisë. Besoj se reagimi duhet të jetë i fuqishëm, serioz dhe i përgjegjshëm. Nuk dua të them se si do të jetë ky reagim në kuptimin përfundimtar”, tha Vuçiq.

Ai iu referua gjithashtu Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, e cila, me sugjerimin e Gjermanisë dhe Ruandës, duhet të jetë para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 27 prill.

“Mendoj më të keqen për krimin e tmerrshëm që ndodhi në Srebrenicë. Shkova për të bërë homazhe me lule dhe për të bërë nderimet e mia për viktimat, boshnjakët. Kjo po bëhet për dy arsye: Njëra është për të ndëshkuar popullin serb për politikën e tij liridashëse dhe të pavarur, për t'u bërë presion shtesë për çështjen e Kosovës dhe për shkak të orientimit në politikën e jashtme, dhe arsyeja e dytë është që t'u thonë muslimanëve gjithandej që pavarësisht mbështetjes që ata ofrojnë ose i ofruan në fillim Izraelit, dhe duke qenë se ata nuk mund të jenë plotësisht në anën e palestinezëve dhe popullit në Gaza, t’u thonë muslimanëve ‘ja, këtu kemi gjetur muslimanë që do të mbështesim’, që ju të mund të shihni se ne nuk kemi qëndrim apriori negativ ndaj muslimanëve”, tha Vuçiq.

Ai gjithashtu u shpreh se Serbia nuk është garantuese e zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit, por është aty për të monitoruar respektimin e saj.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.