BALLKANI

Vuçiq: Bordi i Paqes e ka ndarë Evropën, gjithçka do të bëhet e qartë në javët në vijim

"Në përgjithësi, vendet e BE-së ose nuk marrin pjesë, ose ende nuk janë deklaruar për këtë çështje. Nuk do të jetë një e ardhme e thjeshtë", u tha Vuçiq gazetarëve në Davos

Zlatan Kapic  | 22.01.2026 - Përdıtësım : 22.01.2026
Vuçiq: Bordi i Paqes e ka ndarë Evropën, gjithçka do të bëhet e qartë në javët në vijim

Sarajevë

Bordi i Paqes, dokumenti themelues i të cilit u nënshkrua në Davos, e ka ndarë edhe më tej Evropën dhe gjithçka do të bëhet më e qartë në javët në vijim, deklaroi sot në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, raporton Anadolu.

"Në përgjithësi, vendet e Bashkimit Evropian ose nuk marrin pjesë, ose ende nuk janë deklaruar për këtë çështje. Nuk do të jetë një e ardhme e thjeshtë", u tha Vuçiq gazetarëve në Davos, duke folur për Bordin e Paqes që udhëhiqet nga presidenti amerikan Donald Trump.

I pyetur çfarë është Bordi i Paqes, Vuçiq tha se disa besojnë se është një paralele e Kombeve të Bashkuara, por se pyetja është se në cilin drejtim do të zhvillohet dhe kush do të dërgojë trupa.

"Disa thonë se është një organ paralel i OKB-së, nuk jam i sigurt. Franca, Gjermania, Italia... Askush nuk po merr pjesë. Kina deklaroi vetëm se ka marrë ftesë. Do ta shohim se në cilin drejtim do të zhvillohet. Sigurisht që do të bëhet më e qartë në ditët në vijim", tha Vuçiq.

- Marrëveshja Rusi-Hungari për NIS-in deri në mesin e marsit

Presidenti i Serbisë deklaroi se ka biseduar me kryeministrin hungarez Viktor Orban për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS) dhe shprehu pritshmërinë që kontrata përfundimtare ndërmjet partnerëve rusë dhe hungarezë të përfundojë deri në mesin e marsit.

Vuçiq tha se deri në fund të janarit ka gjasa të takohet sërish me Orbanin për të analizuar më në detaje të gjitha çështjet që lidhen me NIS-in.

"Besoj se kontrata përfundimtare ndërmjet rusëve dhe hungarezëve do të përfundojë deri në mesin e marsit dhe se ndërkohë do të marrim licencën operative", tha Vuçiq.

- Unitet i fortë evropian

Ai shtoi se në mesin e temave të bisedës me kryeministrin hungarez ishin edhe investimet e mëtejshme hungareze në Serbi, marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve si dhe pozicionimi i përbashkët për çështjet kyç gjeostrategjike në botën e sotme.

Vuçiq tha se kanë diskutuar edhe për ngjarjet në margjinat e forumit në Davos, përfshirë vlerësimet e zhvillimeve globale politike dhe ekonomike.

"Pritet që sonte të shfaqet një unitet i fortë evropian për ruajtjen e integritetit të Grenlandës", tha Vuçiq duke vlerësuar se bëhet fjalë vetëm për një qetësim të përkohshëm në dritën e samitit joformal të liderëve të BE-së, i paralajmëruar për sonte.

Ai shtoi se nga bisedimet me bashkëbisedues me ndikim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa, ka krijuar përshtypjen se vazhdimi i tensioneve gjeopolitike ende pritet.

"Prandaj, fakti që sot jemi të kënaqur sepse ende nuk ka sanksione, duhet parë me kujdes", tha Vuçiq.

Presidenti serb tha se është takuar me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, duke shtuar se pret vizitën e saj së shpejti në Beograd dhe bisedime për projekte të përbashkëta.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın