
Prishtinë
Me shumicë votash sot është votuar Qeveria e re e Kosovës me kryeministër Avdullah Hotin, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe si dhe parti të vogla të minoriteteve, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga 86 deputetë sa kanë marrë pjesë në procesin e votimit të kësaj qeverie ku kanë munguar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, 61 kanë votuar pro, 24 kundër dhe 1 deputet ka abstenuar.
Kryeministri i sapoemëruar, Avdullah Hoti, tha se në këtë kohë, Qeveria e udhëhequr nga ai do të ketë dy prioritete, “luftën në menaxhimin e pandemisë me koronavirusin dhe rimëkëmbjen ekonomike pas kësaj pandemie”.
Në plan më të gjerë, deri në vitin 2023, Hoti në prezantimin e ekstraktit të planit qeverisës tha se do të ketë prioritet edhe forcimin e shtetit, luftimin e dukurive negative sidomos krimit të organizuar e korrupsionit, zhvillimin ekonomik, rritjen e punësimit dhe investimeve, marrjen e përgjegjësive për të çuar përpara procesin e dialogut në bashkëpunim me Bashkimin Evropian (BE) e Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Pas shpalosjes së planit qeverisës, Hoti prezantoi emrat e ministrave të kabinetit qeverisës, si në vijim.
Kryeministër – Avdullah Hoti, Zëvendëskryeministër i parë – Besnik Tahiri, Zëvendëskryeministër - Driton Selmanaj, Zëvendëskryeministre - Albulena Balaj-Halimi, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Pushtetit Lokal – Goran Rakiq, Minsitre e Financave – Hykmete Bajrami, Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Besjan Mustafa, Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve – Vlora Dumoshi, Ministër i Mbrojtjes – Anton Quni, Ministër i Infrastrukturës – Arban Abrashi, Ministër i Punëve të Brendshme – Agim Veliu, Ministër i Shëndetësisë – Armend Zemaj, Ministër i Drejtësisë – Selim Selimi, Ministër i Ekonomisë dhe Ambientit – Blerim Kuqi, Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës – Meliza Haradinaj-Stublla, Ministër i Arsimit dhe Shkencës – Ramë Lika, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale – Skender Reçica, Ministër i Tregtisë dhe Industrisë – Vesel Krasniqi, Ministër për Kthim dhe Komunitete – Dalibor Jevtiq dhe Ministër i Zhvillimit Rajonal - Enis Kervan.
Hoti pas votimit në seancë ku u zgjodh kryeministër i ri, tha se është shumë i kënaqur që pas një pune më shumë se një muaj me partnerët e koalicionit qeverisës kanë bërë një program qeverisës që adreson nevojat më emergjente që ka shteti i Kosovës.
“Sot kam dhënë zotimet para deputetëve të koalicionit qeverisës dhe gjithë deputetëve tjerë dhe para qytetarëve për ndërrimin e diskursit publik në vend, për të krijuar dhe për të kthyer në normalitet dhe siguri jetët tona edhe në biznes edhe në familje dhe gjithkund. Mbi të gjitha për të kthyer dhe për të forcuar miqësitë tona ndërkombëtare”, tha Hoti, i cili shtoi se me koalicionin e ri qeverisës “do t’i dalin zot vendit”.
Shefi i Grupit Parlamentar i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, në fjalën e tij tha se seanca e sotme është edhe një tentative për ta zhbërë verdiktin e qytetarëve. Selimi, partitë që i janë bashkuar LDK-së për të qeverisur i quajti të vogla dhe “përfituese të vazhdueshme”, pa fituar kurrë në zgjedhje.
Ai kontestoi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, duke e akuzuar këtë gjykatë se punoi për interesa të presidentit Hashim Thaçi.
“Kjo nuk është as Qeveria Thaçi 3, është më shumë. Është qeveri e Thaçit, në fund do e hedh si një leckë. Kjo do t’i duhet atij për legjitimim të ndarjes së Kosovës dhe që të përfitojë edhe një mandat si president”, ka thënë Selimi.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se Vetëvendosje dhe LDK i mashtruan qytetarët e Kosovës duke ju ofruar shpresë, e në anën tjetër “për 100 ditë qeverisje degraduan çdo të arritur të shtetit në 20 vite liri duke shkaktuar rrezik nacional për vendin”.
Siç tha Veseli, dilemat që ka hapur Kurti me nxitjen e urrejtjes dhe dëshirën për revansh, “janë minore përballë dilemave që ka hapur me garantuesit e ekzistencës sonë fizike dhe shtetërore, me miqtë tradicionalë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Ky është një dëm i pallogaritshëm politik që i është bërë vendit nga ideologjia anti-amerikane e Kryeministrit, ashtu si dhe nga sjellja e tij qyqare përballë Serbisë", shtoi Veseli.
Shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu tha se kanë vendosur të bëhen pjesë e kësaj qeverie “me besimin e madh se gjërat do të lëvizin pozitivisht”. Ajo tha se kjo qeveri do të kryejë nevojat themelore të shtetit, ngritjen ekonomike të vendit, në njërën anë, dhe ruajtjen e partneritetit strategjik me aleatët e Kosovës e në veçanti me SHBA-në.
Përfaqësuesi i Nismës për Kosovën, Endrit Shala, tha se do të punojnë që programi qeverisës me Hotin kryeministër të zbatohet në përpikmëri, e sidomos beteja në përballje me koronavirusin e rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë.
LDK-ja ka qenë në pushtet bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje, partinë e Albin Kurtit që qëndroi në udhëheqje nga 3 shkurti. Koalicioni midis dy partive u prish kur Kurti e shkarkoi ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike Agim Veliun me arsyetimin se nxiti panik të panevojshme tek qytetarët gjatë fillimit të përhapjes së pandemisë me koronavirusin.
Me këtë rast, kreu i LDK-së, Isa Mustafa tha se shkarkimi i Veliut pa konsultim me të prishi koalicionin midis dy partive në pushtet, ndërsa pas mbledhjes së partisë, LDK inicioi mocion mosbesimi në Kuvend për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Kurti, e cila u shkarkua më 25 mars dhe që nga ajo kohë ka qëndruar si Qeveri në detyrë.
Në aktgjykimin e saj të publikuar më 28 maj, Gjykata Kushtetuese tha se vendimi i presidentit i datës 30 prill për t'ia propozuar Kuvendit të Kosovës kandidatin e ri për formimin e qeverisë, Avdullah Hotin, nuk është në kundërshtim me kushtetutën, siç kishte pohuar Vetëvendosje në kërkesën e saj për shqyrtim nga ana e gjykatës.
Që nga rrëzimi i kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së udhëhequr nga ai, Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht ka deklaruar se qeveria e re e vendit duhet të formohet përmes zgjedhjeve të reja parlamentare, ndërsa partia e Kurtit ka paralajmëruar edhe protestë gjithëpopullore më 5 qershor përpara Kuvendit të Kosovës.
- Thaçi përgëzon deputetët për votimin e Qeverisë së re
Pas votimit të Qeverisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përgëzuar deputetët duke thënë se “kjo është një ditë e rëndësishme për demokracinë tonë dhe për qytetarët e vendit”.
“Me bashkëpunim dhe koordinim ndërinstitucional mund ta rimëkëmbim ekonominë tonë dhe të lëvizim me hapa më të shpejtë drejt integrimit euroatlantik, duke e fuqizuar partneritetin me SHBA-në dhe me të gjitha shtetet mike”, ka shkruar Thaçi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.