BALLKANI

"Viti 2022 ka qenë me arritje të rëndësishme për fushën e sigurisë në Shqipëri"

Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Bledar Çuçi, në konferencën për mediat ka theksuar se viti 2022 ka qenë një vit me sfida jo të pakta, sipas tij, edhe me arritje të rëndësishme për pjesën e fushës së sigurisë

Fajton Cuka  | 11.01.2023 - Përdıtësım : 12.01.2023
"Viti 2022 ka qenë me arritje të rëndësishme për fushën e sigurisë në Shqipëri" Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Bledar Çuçi dhe ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Ulsi Manja, në një konferencë për mediat, prezantuan rezultatet e punës për vitin 2022 si dhe objektivat për vitin 2023 për ministritë që ata drejtojnë, raporton Anadolu Agency(AA).

Çuçi theksoi se viti 2022 ka qenë një vit me sfida jo të pakta, sipas tij, edhe me arritje të rëndësishme për pjesën e fushës së sigurisë.

"Gjatë vitit 2022 kemi shtuar shumë investimet në policinë e shtetit, duke u fokusuar drejt teknologjisë"

"Viti 2022 ka qenë një vit i mbushur me sfida dhe pjesa kryesore që ka mbuluar Ministria e Brendshme në vitin 2022 lidhet me funksionimin e policisë së shtetit. Gjatë vitit 2022 mendoj që kemi bërë një hap goxha të rëndësishëm në reformimin e policisë së shtetit dhe kemi arritur që në fund të vitit 2022 dhe në fillim të këtij viti në të fillojmë jetësimin e një prej reformave më të rëndësishme të policisë së shtetit, që është reforma policisë kriminale", tha ai.

Çuçi theksoi se riorganizimin që kanë bërë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, do ta vazhdojnë gjatë vitit 2023 edhe në nivel lokal.

"Gjatë vitit 2022 ne kemi shtuar shumë investimet në policinë e shtetit, duke u fokusuar gjithmonë e më tepër drejt teknologjisë. Mendoj që do jetë edhe 2023 një vit ku do kemi një bum të investimeve në teknologji, e kushtëzuar edhe nga sulmi kibernetik që pësuam nga agresorët iranianë", u shpreh Çuçi.

"Harta e re gjyqësore" do të zbatohet në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor

Ministri Manja theksoi se miratimi i "hartës së re gjyqësore" ka qenë një arritje sa i përket politikës në fushën e drejtësisë. "Harta e re gjyqësore do të zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Lartë Gjyqësor", u shpreh ai.

"Harta e re gjyqësore", parashikon riorganizimin mbi numrin dhe juridiksionin e gjykatave në Shqipëri, konkretisht me uljen e numrin të gjykatave në vend.

Manja tha se po ashtu ka disa marrëveshje të nënshkruara në funksion të negociatave dhe procesit të integrimit evropian të vendit.

"Sa i përket bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar vlen të theksohen marrëveshjet e arritura me Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës në kuadër të mbledhjes së dy qeverive", tha Manja.

Duke folur për mbështetjen ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të Shqipërisë, Manja theksoi se "Mund të them me plot gojën që viti 2022 ka qenë viti i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve jo vetëm sa i përket vëmendjes së ministrisë së Drejtësisë, por sa i përket vëmendjes dhe trajtimit që Qeveria shqiptare ka bërë për këtë institucion".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.