BALLKANI

Vihet gurthemeli i Stacionit të Policisë së Kosovës në Zubin Potok

"Mbetemi të përkushtuar në ruajtjen e sigurisë së qytetarëve, qetësisë publike, pa dyshim edhe shtrirjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit tonë", tha ministri Sveçla

Agim Sulaj  | 01.07.2025 - Përdıtësım : 01.07.2025
Vihet gurthemeli i Stacionit të Policisë së Kosovës në Zubin Potok Burimi: Ministria e Brendshme e Kosovës

Prishtinë

Është vënë gurthemeli i Stacionit të Policisë së Kosovës në komunën me shumicë serbe në veri të Kosovës, në Zubin Potok, transmeton Anadolu.

Në vënien e gurthemelit të stacionit të ri policor morën pjesë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i shoqëruar nga ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësdrejtori i Përgjegjshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri si dhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani.

Me këtë rast, ministri Sveçla tha se ky stacion modern do të ofrojë kushte komode për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, do të ofrojë siguri edhe më të madhe si dhe do të jetë adresë e raportimit për të gjithë qytetarët pa dallim.

Ai theksoi se për të ofruar siguri më të lartë, duhet t'i shtohet edhe infrastruktura përcjellëse moderne.

"Mbetemi të përkushtuar në ruajtjen e sigurisë së qytetarëve, qetësisë publike, pa dyshim edhe shtrirjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit tonë", theksoi ministri Sveçla.

Kosova në vitet e fundit ka nisur ndërtimin e stacioneve të reja policore në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe edhe pse një gjë e tillë kundërshtohet vazhdimisht nga përfaqësuesit e serbëve në vend.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın