Kulturë, BALLKANI

Veprat e autorit turk për fëmijë kundër dukurive negative, Mevlana Idris, tani flasin edhe shqip

"Për shkak të filozofisë së tij, mundohet që mesazhet t’i përcjellë në mënyrë shumë të saktë dhe të drejtpërdrejtë", thotë Salihu

Agim Sulaj  | 13.12.2021 - Përdıtësım : 14.12.2021
Veprat e autorit turk për fëmijë kundër dukurive negative, Mevlana Idris, tani flasin edhe shqip Foto: Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

AGIM SULAJ

Kur Zejnepja, një vajzë e vogël nga Halepi i Sirisë ikën nga vendlindja e saj në gjendje lufte për të gjetur strehim në Turqi, ajo akomodohet për vete, por, nuk rri duarkryq dhe me ndihmën e miqve të saj hapë një kanal nëntokësor nga Turqia deri në Siri, përmes të cilit u dërgon ushqime dhe ilaçe njerëzve që kanë mbetur atje.

Kjo është fuqia e ndihmës për të dobëtit që mëton të ngjallë autori turk Mevlana Idris Zengin nëpërmjet personazheve të librave të tij, tek fëmijët, tani i përkthyer edhe në gjuhën shqipe, botuar nga shtëpia botuese "Efekos" në Gjilan.

Si njohës i hollësishëm i psikologjisë së fëmijëve, Mevlana Idris, nga këndvështrimi i pafajësisë së një fëmije, shpreh jo vetëm habi, por edhe refuzim dhe përçmim ndaj gjithë veprimeve shkatërruese që kanë qëmtuar dhe po vazhdojnë ta qëmtojnë e shëmtojnë botën.

Veprat me rëndësi në rrafshin edukativ, imagjinativ, estetik e stilistik dhe njohja e mirë e botës së fëmijës, bënë që autori të jetë joshës edhe për shtëpinë botuese kosovare.

Redaktori i shtëpisë botuese "Efekos" në Gjilan, Salih Salihu, thotë për Anadolu Agency (AA) se cikli "Fëmijë Ndryshe" i këtij autori, i përkthyer së fundmi shqip, përbëhet nga 12 libra: Karota, Kthehu Behram, Djaloshi RE, Djaloshi që shpëtoi botën, Supermeni i vogël, Trasta e heshtjes, Një thes me syze, Kripa, Zejnepja nga Halebi, Djaloshi Blu, Në rrugën e telefonit të verdhë, dhe Fëmija me të kuqe.

Salihu thotë se për autorin turk shtëpia botuese kosovare ka dëgjuar në bazë të sugjerimit të një nga përkthyesve kosovarë e më pas kanë filluar të bashkëpunojnë drejtpërdrejt me të.

"Mevlana Idris Zengin është autor ndryshe, është një shkrimtar ndryshe, është një pacifist 24-karatësh, një shkrimtar që e njeh thellë botën imagjinatave të fëmijëve dhe botën sentimentale të tyre", thotë Salihu.

"Mevlana Idris i duhet edhe fëmijëve shqipfolës"

Salihu thotë se autori turk Mevlana Idris i duhet edhe fëmijëve shqipfolës ngase me një sens artistik, estetik e imagjinativ ai përpiqet që të përcjellë tek lexuesi mesazhin e dashurisë, paqes, respektit, mirësisë dhe vlerave të cilat do të ushqenin emocione pozitive tek fëmijët.

"Për shkak të filozofisë së tij, mundohet që mesazhet t’i përcjellë në mënyrë shumë të saktë dhe të drejtpërdrejtë, por, është edhe autor që shprehimisht në të gjitha veprat e tij ngritet kundër luftës, kundër konflikteve, kundër urrejtjes dhe të gjitha dukurive negative tjera të cilat e sipas tij e shkatërrojnë këtë botë dhe e gërryejnë ditë për ditë", thotë Salihu.

E, pikërisht kundër njërës nga dukuritë më të këqija, gënjeshtrës, Mevlana Idris flet tek libri "Djaloshi që shpëtoi botën", ku personazhi kryesorë, ngrihet kundër gënjeshtrës, për të cilën beson se është shkaktarja e të gjitha të këqijave të kësaj bote dhe me ndihmën e një plaku të urtë, djali përmes një ëndrre të tijën e shpëton botën nga kaosi dhe deformimet vetë-shkatërruese.

Shtëpia botuese "Efekos" bashkëpunon me mbi dhjetë autorë turq të tjerë përpos Mevlana Idris, ndërsa për këtë bashkëpunim të tyrin, Salihu thotë se qëllimi ka qenë që të krijohet një afërsi midis lexuesve nga trojet shqiptare me autorët turq "për faktin se identitetet kulturore në shumë sfera përputhen shumë".

Librat e autorit turk Mevlana Idris Zengin, i cili ka lindur në vitin 1966 në Andırın të Kahramanmaraş-it, ndërsa jeton në Stamboll, janë përgjithësisht të nivelit të fëmijëve 3 deri në 5 vjeç dhe 6 deri në 8 vjeç.

Idris: Mendoj që kjo veprimtari përkthimesh do të vazhdojë edhe me librat e tjerë

Ndërkaq, i pyetur nga AA se cili është kontributi i veprave të tij në zhvillimin e fëmijëve përmes temave që trajton, autori Mevlana Idris Zengin tha se nëpërmjet librave të tij, ai synon të hapë një derë drejt botës së fëmijëve.

"Fëmijët kanë një botë të tyren. Me këta libra të përkthyer në shqip, përpiqem të hap një derë për atë botë, të bëj një shëtitje në kopshtin e fëmijërisë, të ndiej fëmijërinë përmes letërsisë dhe këtë e bëj për fëmijët", tha Mevlana Idris.

Në lidhje me atë nëse synon që librat e tij të shndërrohen në filma vizatimorë, Mevlana Idris tha se disa nga përrallat e tij tashmë janë realizuar dhe transmetuar si filma vizatimorë në televizionet TRT, por shtoi se filma të tillë nuk janë përkthyer në gjuhë të tjera dhe se ai nuk mund të vendosë për këtë gjë.

Krahas serisë së librave "Fëmijë Ndryshe", më parë nga krijimtaria e shkrimtarit në gjuhën shqipe tashmë janë përkthyer librat "Dyqani i fantazive", "Dyqani i mirësive", "Dyqani i frikërave" dhe "Dyqani i bezdive". Ai shpreh bindjen se kjo veprimtari përkthimore do të vazhdojë edhe me librat e tij të tjerë.

Përveç gjuhës shqipe, librat e shkrimtarit turk janë përkthyer në disa gjuhë.

"Disa nga librat e mi janë përkthyer më parë në gjuhë të ndryshme lindore dhe perëndimore, si arabisht, persisht, urdu, gjermanisht, anglisht dhe hungarisht", tha Mevlana Idris.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.