Vengu: Qëllimi ynë është ta pozicionojmë Shqipërinë si një qendër të besueshme për industrinë e mbrojtjes
Në Shqipëri po mbahet Konferenca e 28-të e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut (A-5), me pjesëmarrjen e zyrtarëve nga disa vende

Tiranë
Në Tiranë po mbahet Konferenca e 28-të e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA - Karta e Adriatikut (A-5), me pjesëmarrjen edhe të komandantit Suprem të NATO-s në Evropë (SACEUR), gjeneral Alexus G. Grynkewich, raporton Anadolu.
Fokusi i punimeve të konferencës është forcimi i rolit të vendeve të Kartës së Adriatikut si dhe krijimi i hapësirave të reja për thellimin e bashkëpunimit ushtarak rajonal, sipas autoriteteve shqiptare, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
Punimet e konferencës i përshëndeti edhe ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, i cili në fjalën e tij theksoi se Karta e Adriatikut ka lindur nga vizioni i bashkëpunimit dhe stabilitetit. Ai tha se kanë si qëllim që ta pozicionojnë Shqipërinë si një qendër të besueshme për industrinë e mbrojtjes.
"Parimet e saj (të A-5) mbeten të pandryshuara për një mjedisi strategjik që ndryshon me shpejtësi. Ne duhet të përshtatemi dhe të ripërtërimë misionin e saj. Për Shqipërinë, karta (A-5) nuk është thjesht një iniciativë tjetër rajonale, pasi kemi shumë, por është një nxitës i bashkëpunimit praktik dhe qëndrueshmërisë kolektive. Me pjesëmarrjen e SHBA-së e bën atë një iniciativë shumë të rëndësishme", tha Vengu.
Ai ka shtuar se vendimet e marra në samitin NATO-s në Hagë iu japin një mundësi unike për të marrë përsipër më shumë përgjegjësi, sipas tij, për sigurinë rajonale dhe për të marrë më shumë përgjegjësi brenda NATO-s dhe BE-së
Vengu tha ndër të tjera se Shqipëria po ecën me vendosmëri duke rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe duke rigjallëruar bazat industriale, duke investuar në infrastrukturë në përputhje me kriteret e NATO-s dhe BE-së.
"Qëllimi ynë është ta pozicionojmë Shqipërinë si një qendër të busueshme për industrinë e mbrojtjes", u shpreh ministri Vengu.
Shqipëria, Maqedonia (sot Maqedonia e Veriut), Kroacia dhe SHBA-ja, nënshkruan në maj 2003 "Kartën e Adriatikut", që kishte si synim të promovonte dhe fuqizonte bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë, por edhe të rriste ndërveprimin dhe adoptimin e standardeve, nëpërmjet stërvitjeve të përbashkëta dhe aktiviteteve të bashkëpunimit të njësive respektive. Në dhjetor 2008, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina iu bashkuan zyrtarisht nismës, duke shndërruar iniciativën në A-5.
Sipas autoriteteve shqiptare, konferenca që përfundon nesër do të shërbejë si një platformë e rëndësishme për të analizuar arritjet e deritanishme të Iniciativës A-5, për të mbështetur vendet aspirante dhe për të identifikuar fushat e reja të bashkëpunimit ushtarak.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.