Vengu për marrëveshjen Shqipëri-Kosovë-Kroaci: Bashkëpunimi është në zbatim e sipër
"Ne vazhdojmë punën tonë. Bashkëpunimi trelateral është në zbatim e sipër. Bëmë një takim me homologë të mbrojtjes në Mynyh për të përcaktuar hapa të tjerë që lidhen me prokurimet e përbashkëta në fushën e mbrojtjes", tha ministri Vengu
Tiranë
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, duke iu referuar marrëveshjes Shqipëri-Kosovë-Kroaci në fushën e mbrojtjes, ka deklaruar se bashkëpunimi trelateral është në zbatim e sipër, raporton Anadolu.
Në një konferencë për mediat në Tiranë, së bashku me drejtues të disa institucioneve të tjera, Vengu u fokusua në aktivitetet e ministrisë dhe angazhimet gjatë këtij viti.
Vengu tha se sa i përket marrëveshjes trepalëshe Shqipëri-Kosovë Kroaci i ndjekin edhe reagimet dhe shpesh herë tha ai ka "një lloj paniku të pajustifikuar nga reagimet e institucioneve në Beograd".
"Ne vazhdojmë punën tonë. Bashkëpunimi trelateral është në zbatim e sipër. Bëmë një takim me homologë të mbrojtjes në Mynyh për të përcaktuar hapa të tjerë që lidhen me prokurimet e përbashkëta në fushën e mbrojtjes, sepse të tre vendet kanë nevoja të ngjashme dhe fuqizohemi duke u bërë bashkë për të pasur kontrata më të mira, më të lira, më në dobi të nevojave që kanë forcat tona. (Për) bashkëpunimin në fushën e industrisë, do kemi një përfshirje edhe në panairet që po organizojnë kolegët kroatë, ku synojmë të kemi edhe angazhimin e kompanive tona dhe të Kosovës dhe nga ana tjetër dhe element stërvitor të forcave tona", tha ai.
Duke iu referuar edhe marrëveshjes trepalëshe, ai tha se vazhdojnë t'i bëjnë ftesë të gjitha vendeve të rajonit dhe jo vetëm Serbisë, që sipas tij të jenë prezentë në të gjitha ato mekanizmat e bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Kujtojmë se në mars të vitit të kaluar, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nënshkruan një deklaratë të përbashkët të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, që synon forcimin e aftësive mbrojtëse të tre vendeve, zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë së mbrojtjes, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon.
Ndër të tjera Vengu shtoi se korriku është koha që kanë vendosur për fillimin e prodhimit të municioneve, sipas tij të paktën të municionit të parë “në mënyrë që linja e prodhimit t’i nënshtrohet pastaj certifikimit dhe të mund të fillojmë pastaj prodhime sipas kalibrave”.
"Një element tjetër i rëndësishëm është dëshira dhe synimi jonë që të integrojmë industrinë tonë. Ka rifilluar me zinxhirët e furnizimit dhe me kompanitë lider në Evropë të prodhimit ushtarak. Është përmbyllur negociata paraprake me Fincantieri-n. Në ditët në vijim do të miratohet në qeveri edhe autorizimi ynë që ta themelojmë kompaninë e përbashkët me Fincantieri-n për prodhimin e anijeve në (bazën) Pashaliman", tha ai.
Vengu tha se synojnë të kenë një rritje domethënëse të forcave aktive me 30 për qind sa janë aktualisht. Ai theksoi se ka filluar rekrutimi i rezervistëve dhe shtoi se "Synojmë të kemi 363 rezervistë këtë vit dhe ta mbajmë këtë ritëm në çdo vit pasues në gjitha specialitet".
Duke folur mbi pjesëmarrjen e Shqipërisë në forcën e stabilizimit në Gaza, Vengu theksoi se do të jenë bisedimet e shtabeve që do të përcaktojnë ecurinë në vijimësi. "Ne e shohim këtë angazhim(në Gaza) në dy faza. Përfshirjen me oficerë nëpër shtabet që organizojnë forcën dhe siç e kemi dhe në misionet e mëparshme forcat tona operojnë brenda një ombrelle të një aleati më të madh dhe kjo është logjika që do të ndjekim edhe në rastin konkret", tha ai.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji, theksoi se Shqipëria ka shprehur dakordësinë për të marrë pjesë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilitetit në Gaza.
"Aktualisht ne kemi deklaruar pjesëmarrjen në fazën e parë me oficerë në shtabin që do të krijohet me këtë qëllim. Njëkohësisht jemi duke punuar me aleatët tanë për detaje të tjera. Nuk kemi përcaktuar akoma numrin e saktë të pjesëmarrësve", tha Kingji.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
