BALLKANI

"Vendkalimi Llojan-Miratoc do ta lehtësojë qarkullimin e kapitalit dhe njerëzve"

"Në frymën e bashkëpunimit më të mirë rajonal mes shteteve dhe dëshirës që t’iu ndihmojmë banorëve lokalë, e nisëm këtë ide për hapjen e këtij vendkalimi kufitar", tha Osmani

Husamedin Gina  | 29.11.2019 - Përdıtësım : 02.12.2019
"Vendkalimi Llojan-Miratoc do ta lehtësojë qarkullimin e kapitalit dhe njerëzve" ( Husamedin Gina - Anadolu Agency )

Shkup

Zëvendës-kryeministri për Çështje Evropiane dhe koordinator i projektit të vendkalimit kufitar Llojan-Miratoc, Bujar Osmani, sot realizoi takim me delegacionin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, kryesuar nga sekretari shtetëror i Ministrisë së Brendshme dhe kryetar i Komisionit për vendkalime kufitare të Serbisë, Millosav Miliçkoviq, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke theksuar se hapja e vendkalimit kufitar Llojan-Miratoc është një dëshirë e kamotshme e qytetarëve të të dyja anëve të kufirit, zv/kryeministri Osmani theksoi se kufiri i cili fizikisht është 2 kilometra për qytetarët është shndërruar në distancë prej 40 kilometrave.

“Në frymën e bashkëpunimit më të mirë rajonal mes shteteve dhe dëshirës që t’iu ndihmojmë banorëve lokalë, e nisëm këtë ide për hapjen e këtij vendkalimi kufitar”, tha Osmani.

Kryetari i Komisioni për vendkalime kufitare të Serbisë, Miliçkoviq duke theksuar kënaqësinë e avancimit të përditshëm të marrëdhënieve mes dy shteteve tha se është shumë me rëndësi që të tejkalohen pengesat për lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve.

Miliçkoviq u përqendrua edhe në “Shengenin e vogël” të dakorduar mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama në Novi Sad.

“Në frymën e 'Shengenit të vogël' dhe lehtësimit të qarkullimit të kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve si dhe me qëllim të lehtësimit të jetës së popullatës lokale për ta hapur këtë vendkalim kufitar harmonizuam tekstin i cili do të miratohet deri në fund të këtij viti”, tha Miliçkoviq.

Gjatë bisedimeve bashkëfolësit u angazhuan për avancimin e kësaj iniciative në një nivel edhe më të lartë, andaj në vend të vendkalimit lokal, siç parashikohej më herët, projekti Llojan – Miratoc të implementohet si vendkalim tërësisht ndërkombëtar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.