BALLKANI

Vendimi që hyrja në Kosovë të lejohet vetëm me tri doza të vaksinës ngjall reagime nga vendet fqinje

Për masat e reja të vendosura nga Qeveria e Kosovës, ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka zhvilluar të dielën një bisedë telefonike me homologun e tij nga Kosova, Rifat Latifi

Agim Sulaj  | 24.01.2022 - Përdıtësım : 25.01.2022
Vendimi që hyrja në Kosovë të lejohet vetëm me tri doza të vaksinës ngjall reagime nga vendet fqinje

Prishtinë

Përfaqësues të institucioneve nga vendet fqinje dhe qytetarë, kanë shprehur kundërshtim ndaj masave të reja të vendosura më 22 janar nga Qeveria e Kosovës për menaxhimin e pandemisë COVID-19, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas një mbledhjeje elektronike që u mbajt një ditë më herët, më 21 janar, qeveria miratoi masat, të cilat në aspektin e politikave kufitare ua pamundësojnë hyrjen në territorin e Kosovës atyre që nuk i kanë marrë tri doza të vaksinës kundër COVID-19 ose së paku nuk kanë dy doza dhe test PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë para nisjes.

Pas këtij vendimi i cili ka hyrë në fuqi nga dita e shtunë, në pikat kufitare të Kosovës me vendet fqinje është shkaktuar tollovi nga kolonat e veturave, shoferët e pasagjerët e të cilëve nuk janë lejuar të futen në territorin kosovar pa zbatimin e masave të reja.

Për masat e reja të vendosura nga Qeveria e Kosovës, ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka zhvilluar të dielën një bisedë telefonike me homologun e tij nga Kosova, Rifat Latifi.

Megjithëse ministri Bekim Sali ka shprehur mirëkuptim për vendimin e qeverisë kosovare, që “ka ardhur duke e pasur parasysh gjendjen epidemiologjike në shtetin fqinj si dhe kapacitetet e tyre për përballjen me këtë valë të virusit”, ai i ka përcjellë ministrit Latifi edhe shqetësimet e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Ministri Bekim Sali ia përcolli kolegut të tij kosovar edhe brengën e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, që kanë lidhje familjare, biznesore e detyrime të tjera që i lidhin me Kosovën, e të cilët kjo masë i ka kufizuar ndjeshëm”, thuhet në një postim në rrjetet sociale të Ministrisë së Shëndetësisë të Maqedonisë së Veriut.

Tutje, u bë e ditur se ministri Sali i kërkoi Latifit që të rishqyrtohet ky vendim, duke i kërkuar një mundësi tjetër që edhe të mbrohet shëndeti i qytetarëve të të dyja vendeve, por edhe të mos pengohet qarkullimi i tyre i lirë.

Sikurse nga Maqedonia e Veriut, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për masat kundër koronavirusit ka vështirësuar dukshëm lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Komunës së Preshevës, komunës me shumicë të popullsisë shqiptare në territorin serb.

Kryetarja e Preshevës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta rishqyrtojë këtë vendim pasi sipas saj është një numër i madh i qytetarëve të Preshevës që hyjnë në Kosovë.

“Duke qenë e vetëdijshme për gjendjen e rënduar me pandeminë COVID-19, ftoj Qeverinë e Republikës së Kosovës që ta rishqyrtojë vendimin përkatës, apo edhe ta plotësojë, drejt lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve të rajonit tonë”, ka shkruar Sinani në rrjetet sociale.

​Edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, i ka shkruar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti se obligimi për vaksinë me dozën e tretë, apo edhe ata që janë vaksinuar me dozën e dytë dhe test PCR, po e pamundëson lëvizjen e qytetarëve, ndërsa “i shtyrë nga kërkesat e shumta të qytetarëve, kërkon të rishikohet vendimi për hyrje-daljet në territorin e Kosovës”.

Për vendimin e palës kosovare që ka shtrënguar masat për lejimin e futjes në territorin e saj kanë reaguar edhe qytetarët e Komunës së Kukësit, qytetit shqiptar i cili ndodhet më së afërti me Kosovën.

Madje, ata kanë bërë thirrje për secilin banor të këtij qyteti që të hënën nga ora 10:00 të dalin në protestë në pikën kufitare në Morinë, kundër këtij vendimi.

“Njoftohen të gjithë banorët e rrethit të Kukësit se më 24 janar 2022 në orën 10:00 do të zhvillohet një grevë paqësore pranë doganës së Morinës. Për arsye të heqjes së pengesave të lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë nga ana e Qeverisë së Kosovës. Kërkojmë mbështetjen e të gjithëve pasi nuk është protestë politike por paqësore në shërbim të komunitetit”, ka njoftuar organizatori i kësaj proteste.

Qeveria e Kosovës deri më tani ende nuk ka dalë me ndonjë vendim të ri pas reagimeve nga shtetet fqinje. Sipas saj, këto masa janë marrë në mbrojtje të mospërhapjes së variantit Omicron, ku përveç kufizimeve në kufi kanë shtuar orën policore në gjithë vendin nga ora 10:00 e mbrëmjes deri në orën 5:00 të mëngjesit.

Me kërkesën për tri doza të vaksinës apo dy doza dhe testin negativ Qeveria e Kosovës mori vendim që t’i lirojë ata që hyjnë transit në Kosovë, diplomatët e huaj, fëmijët nën moshën 12-vjeç si dhe ata që kanë dëshmi mjekësore se janë të liruar nga vaksinimi.

Rastet me koronavirus në Kosovë janë rritur dukshëm ditëve të fundit. Brenda 24 orëve në nivel vendi një person i infektuar me koronavirus ka vdekur, derisa janë regjistruar 2 mijë e 957 raste pozitive.bal

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.