BALLKANI

Vendimi i KQZ-së për mosmiratimin e listës së kandidatëve për deputetë nga Lista Serbe nxit reagime

"BE-ja përsërit thirrjen për depolitizimin e punës së KQZ-së, në përputhje me raportin e Misionit vëzhgues të zgjedhjeve dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të punojnë së bashku, në përputhje me Kushtetutën", tha një zëdhënës i BE-së

Agim Sulaj  | 03.02.2026 - Përdıtësım : 03.02.2026
Vendimi i KQZ-së për mosmiratimin e listës së kandidatëve për deputetë nga Lista Serbe nxit reagime

Prishtinë

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të mos e miratojë listën e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe, ka nxitur reagime nga Bashkimi Evropian (BE) dhe aktorë tjerë ndërkombëtarë, raporton Anadolu.

BE-ja lidhur me këtë vendim të KQZ-së ka shprehur "shqetësim serioz" duke kërkuar depolitizim të punës së këtij institucioni.

"BE-ja përsërit thirrjen për depolitizimin e punës së KQZ-së, në përputhje me raportin e Misionit vëzhgues të zgjedhjeve dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të punojnë së bashku, në përputhje me Kushtetutën", tha një zëdhënës i BE-së, për media.

Tutje, zëdhënësi i BE-së përsërit edhe thirrjen për legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës që të përshpejtojë reformat e lidhura me BE-në dhe të ratifikojë Planin e Rritjes, e cila "është në dobi të popullatës së Kosovës".

Po ashtu, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë e konsideroi vendimin e KQZ-së "në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre".

"Çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës", thanë nga ambasada për mediat në Kosovë.

- Misioni i OSBE-së thekson rëndësinë e respektimit të plotë të standardeve ndërkombëtare zgjedhore

Edhe Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë ka reaguar pas ankesës së Listës Serbe të dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me mosmiratimin e listës së kandidatëve të kësaj partie për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

OSBE-ja ka vlerësuar se ankesa është bërë ndaj dështimit të KQZ-së i cili javën e kaluar nuk ka publikuar në mënyrë formale rezultatet për këtë subjekt politik.

Misioni i OSBE-së ka theksuar rëndësinë e respektimit të plotë të standardeve ndërkombëtare zgjedhore, duke vënë theks të veçantë te transparenca dhe publikimi gjithëpërfshirës i rezultateve zgjedhore.

Sipas OSBE-së, këto parime janë thelbësore për "garantimin e sigurisë juridike dhe trajtimit të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor".

Më 31 janar, KQZ-ja ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Gjatë mbledhjes, anëtarët e Komisionit miratuan listat e kandidatëve të të gjithë partive, përveç Listës Serbe.

Për këtë, Lista Serbe të hënën ka dërguar ankesë në PZAP dhe tani vendimi është në dorën e këtij institucioni, i cili edhe në disa raste të mëhershme kishte kundërshtuar KQZ-në dhe i kishte dhënë të drejtë Listës Serbe pas ankesave.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın