Vendet e rajonit urojnë qeverinë e re të Kosovës
Zyrtarë të lartë nga vendet e rajonit kanë përcjellë urimet e tyre për qeverinë e re të Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti
Shkup
Vendet e rajonit e kanë uruar qeverinë e re të Kosovës, e cila u formua dje pas konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit, transmeton Anadolu.
Në një postim në rrjetin social amerikan X, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka uruar qeverinë e re dhe kryeministrin Albin Kurti, duke thënë: “I uroj suksese në mandatin e ri, në drejtimin e Qeverisë drejt progresit, zhvillimit dhe begatisë së popullit të Kosovës”.
Ai ka shprehur bindje se “përkushtimi dhe bashkëpunimi në dobi të shtetit dhe qytetarëve do të udhëheqin të gjithë klasën politike të Kosovës në përballimin e sfidave që janë përpara”.
Begaj ka shkruar se vendi i tij do të vijojë “mbështetjen vëllazërore” për Kosovën.
Edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, po ashtu ka uruar legjislaturën e re dhe qeverinë, duke shprehur mbështetjen e Shqipërisë për institucionet kosovare.
Ajo përcolli “urimet më të përzemërta për Kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, Kryeministrin Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministrin e parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca”.
“Ju priftë e mbara në këtë përgjegjësi të naltë në shërbim të qytetarëve dhe të forcimit të mëtejshëm të shtetit demokratik të Kosovës”, shkroi ajo.
Spiropali theksoi se Kosova është “pjesë e pandashme e zemrës sonë kombëtare dhe e horizontit tonë të përbashkët europian”, duke shtuar se Shqipëria do të qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës me mbështetje të sinqertë dhe të palëkundur për sigurinë, institucionet dhe rrugëtimin e saj drejt familjes euroatlantike.
Në fund, ajo uroi suksese në këtë kapitull të ri, në shërbim të paqes, zhvillimit dhe dinjitetit të qytetarëve të Kosovës.
Ndërkaq, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, e ka uruar Kosovën për formimin e qeverisë së re, si dhe Glauk Konjufcën për emërimin e tij si Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme.
Në një postim në X, Mucunski shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë mes dy vendeve.
“Si fqinjë, presim të punojmë ngushtë së bashku në interes të stabilitetit rajonal, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe aspiratave tona të përbashkëta evropiane”, shkroi ai.
Ministri i Jashtëm dhe i Çështjeve Evropiane i Kroacisë, Gordan Grliq Radman, falënderoi kryediplomaten e deritanishme Donika Gërvalla-Schwarz për kontributin e saj gjatë mandatit si ministre e Punëve të Jashtme e Kosovës, duke e vlerësuar rolin e saj në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ai uroi Glauk Konjufcën për marrjen e mandatit si Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme, duke i dëshiruar suksese në ushtrimin e kësaj detyre me përgjegjësi.
Ai shprehu bindjen se Konjufca do të vazhdojë të ndërtojë ura të forta bashkëpunimi dhe të forcojë më tej lidhjet mes dy shteteve.
Ndryshe, dje u konstituua Legjislatura e Dhjetë e Kuvendit të Kosovë, në seancën e parë të saj të mbajtur pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Më pas, me 66 vota pro dhe 49 kundër, Kuvendi votoi për të miratuar qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
