Vendet e rajonit i shprehin ngushëllime Zvicrës pas zjarrit tragjik në Crans-Montana
Autoritetet zvicerane e kanë cilësuar zjarrin si një nga tragjeditë më të rënda që ka përjetuar vendi.
Shkup
Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shprehur ngushëllimet e tyre për viktimat e tragjedisë në resortin malor Crans-Montana në Zvicër, ku një zjarr në natën e Vitit të Ri shkaktoi dhjetëra të vdekur dhe të lënduar, transmeton Anadolu.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë u shpreh në platformën amerikane X se është thellësisht e tronditur nga ngjarja, duke përcjellë mendimet dhe lutjet për viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë të prekurit. Në reagim u shprehën gjithashtu ngushëllime për popullin zviceran dhe u urua shërim i shpejtë për të plagosurit.
Ndërkaq, ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, tha se ka zhvilluar bisedë telefonike me ambasadorin zviceran në Shkup, duke shprehur ngushëllime të sinqerta dhe duke ofruar gatishmërinë e vendit për të pranuar pacientë të lënduar dhe për të ofruar mbështetje mjekësore, përfshirë dërgimin e mjekëve specialistë nëse është e nevojshme.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova qëndron në solidaritet me Zvicrën pas kësaj tragjedie, duke shprehur ngushëllime të thella për familjet e viktimave dhe duke uruar shërim sa më të shpejtë për të lënduarit.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjë e Hercegovinës shprehu ngushëllime për Zvicrën, qytetarët dhe institucionet e saj, duke theksuar se sipas të dhënave aktuale, nuk ka shtetas të BeH-së mes viktimave. Ministria tha se mbetet në kontakt të ngushtë me autoritetet zvicerane dhe po e ndjek situatën.
Në të njëjtën linjë, Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi shprehu ngushëllime për popullin dhe autoritetet zvicerane, duke theksuar se mendimet e tyre janë me familjet e viktimave dhe të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi.
Ndryshe, policia zvicerane tha se rreth 40 persona kanë humbur jetën dhe rreth 115 të tjerë janë lënduar, shumë prej tyre rëndë, si pasojë e zjarrit që shpërtheu në një bar në qytetin turistik malor Crans-Montana në natën e Vitit të Ri.
Edhe Serbia ka shprehur ngushëllime për incidentin, duke shprehur pikëllim për jetët e humbura.
Autoritetet zvicerane e kanë cilësuar zjarrin si një nga tragjeditë më të rënda që ka përjetuar vendi, ndërsa hetimet mbi shkaqet e ngjarjes po vazhdojnë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
