BALLKANI

Vendet e QUINT-it mirëpresin vendimin e Qeverisë së Kosovës për Manastirin e Deçanit

“Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian mirëpresin dhe përgëzojnë qeverinë e Kosovës për veprimin për të zbatuar vendimin e Gjykata Kushtetuese të vitit 2016”

Agim Sulaj  | 14.03.2024 - Përdıtësım : 15.03.2024
Vendet e QUINT-it mirëpresin vendimin e Qeverisë së Kosovës për Manastirin e Deçanit

Prishtinë

Vendet e QUINT-it e kanë mirëpritur dhe përgëzuar Qeverinë e Kosovës për procedimin e saj tutje në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kalimin e pronësisë të 24 hektarëve tokë tek Manastiri i Deçanit, transmeton Anadolu.

Në një komunikatë për media, vendet e QUINT-it kanë vlerësuar se ky hap është në përputhje me aspiratat evropiane dhe euroatlanike.

“Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian mirëpresin dhe përgëzojnë qeverinë e Kosovës për veprimin për të zbatuar vendimin e Gjykata Kushtetuese të vitit 2016, që konfirmon pronësinë e Manastirit të Deçanit të disa hektarëve tokë”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, QUINT-i thotë se “udhëzimi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës për të regjistruar këtë tokë në emër të Manastirit të Deçanit dhe sigurimi që ky veprim është përmbyllur paraqet hap të rëndësishëm përpara të autoriteteve kosovare në përputhje me aspiratat evropiane dhe euroatlantike”.

Në deklaratën e përbashkët të përfaqësuesve të shteteve të QUINT-it, thuhet tutje se zbatimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të domosdoshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë nga Qeveria e Kosovës se këtë hap për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth Manastirit të Deçanit, po e ndërmarrin për shkak të kushtëzimit që i është bërë Kosovës me këtë vendim për ecjen tutje në anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Manastiri i Deçanit, i cili gjendet në pjesën perëndimore të territorit të Kosovës, që nga periudha e pasluftës kërkon që të marrë në pronësi një sipërfaqe prej rreth 24 hektarësh përreth objektit të tij fetar.

Pronësia e Manastirit të Deçanit mbi këta 24 hektarë tokë u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në maj të vitit 2016.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın