Vendet e Ballkanit Perëndimor me marshe protestuese dhe tubime shënojnë Ditën e Punës
Me rastin e 1 Majit, vazhduan marshet tradicionale të sindikatave edhe në rrugët e kryeqyteteve Shkup, Tiranë dhe Prishtinë, kryesisht duke shprehur revoltën për kushtet aktuale të punëtorëve dhe me shpresën se gjërat do të ndryshojnë për mirë

Shkup / Tiranë / Prishtinë
SHKUP/TIRANË/PRISHTINË (AA) - Me rastin e 1 Majit, Ditës së Punëtorëve, sindikatat dhe shoqatat për të drejtat e punëtorëve në vendet e Ballkanit Perëndimor kanë organizuar aktivitete dhe tubime, duke kërkuar paga më të larta, kushte më të mira pune, si dhe respektim të marrëveshjeve kolektive dhe të drejtave të punëtorëve, raporton Anadolu.
Me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, vazhduan protestat dhe marshet tradicionale të sindikatave edhe në rrugët e kryeqyteteve Shkup, Tiranë dhe Prishtinë, kryesisht duke shprehur revoltën për kushtet aktuale të punëtorëve dhe me shpresën se gjërat do të ndryshojnë për mirë.Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) nisi protestën paraditen e sotme, duke filluar nga Shtëpia e Punëtorëve drejt parlamentit për të përfunduar para godinës së qeverisë, ku shpallën kërkesat e tyre, ndër to paga më të larta dhe kushte më të mira pune.
Kërkesat kryesore të sindikalistëve që marshuan rrugëve të Shkupit mbeten që paga minimale të jetë 500 euro dhe të gjitha pagat e tjera të rriten me 100 euro, si dhe që të respektohen marrëveshjet kolektive dhe të drejtat e punëtorëve. Sipas tyre, pagat në Maqedoni të Veriut janë “të mjerueshme dhe nuk rriten siç parashikohet nga marrëveshjet kolektive”.
Sipas të dhënave të fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave i Maqedonisë së Veriut, nga gjithsej 691.736 punonjës aktiv në vend, paga mesatare neto është 43.050 denarë, ndërsa paga minimale neto është 24.379 denarë
Në Shqipëri, Unioni i Sindikatave të Shqipërisë dhe Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë gjithashtu organizuan një tubim në Tiranë, sipas tyre për "të ngritur zërin për të drejtat e punëtorëve në Shqipëri".
Në tubimin e organizuar në Sheshin "Nënë Tereza" me moton “Jetojmë me pagë shqiptare, paguajmë me çmime evropiane", morën pjesë dhjetëra qytetarë dhe punëtorë nga sektorë të ndryshëm.
Gjatë tubimit është bërë thirrje që institucionet në Shqipëri të kenë vëmendje të shtuar për politikat e punësimit, mbrojtjen sociale dhe për paga të drejta. Nga organizatorët u theksua se punëtorët kërkojnë "një të ardhme me dinjitet, drejtësi dhe barazi për punën".
Ndërkaq, në rrugët e Prishtinës Sindikata e Re e Koorporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Qendra Sociale “Përpjekja”, Kolektivi Feminist dhe aktivistë të pavarur, në bashkëpunim me sindikata të tjera të punëtorëve mbajtën një marsh protestues për të drejtat e punëtorëve.
Me mesazhet “Barazi, Punë e Jetë të Dinjitetshme”, “Për shoqëri të lirë dhe të barabartë”, protesta kishte për qëllim adresimin e kushteve të pafavorshme të punëtorëve, të drejtat e tyre me ligj dhe inflacionin në vend.
Sindikalistët theksuan se problemet dhe sfidat me të cilat përballen punëtorët, duke theksuar se arsyeja për protestë është e domosdoshme. Ata përmendën edhe rrethanat ku vihet në rrezik jeta e punëtorëve në vendin e punës, si dhe u theksua se pesë vitet e fundit në Kosovë 97 punëtorë e kanë humbur jetën në vendin e punës.
Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, e njohur edhe si Dita e Punës, shënohet më 1 maj në më shumë se 80 vende të botës, edhe pse nuk njihet si festë zyrtare në secilën prej tyre. Kjo ditë nderon kontributet dhe arritjet e punëtorëve.
Dita e Punës i ka rrënjët në luftën e punëtorëve të fundit të shekullit të 19-të, veçanërisht në ngjarjen Haymarket të vitit 1886 në Chicago, ku punëtorët po avokonin për kushte më të mira pune, e cila kërkoi një ditë pune tetë-orëshe. Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.