Vazhdojnë përgatitjet për Kurban Bajramin në Maqedoninë e Veriut
Manifestimi qendror do të mbahet në Xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup më 6 qershor të premten ndërkaq namazi i Bajramit do të falet në orën 05:39

Shkup
Në prag të festës së Kurban Bajramit, besimtarët muslimanë në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë përgatitjet e fundit për festën.
Anadolu ka vizituar tregun e "Bit Pazarit" si dhe Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ku qytetarë të shumtë i frekuentojnë për të bërë përgatitjet e tyre të fundit.
Atmosfera e Bajramit ndjehet gjithashtu edhe nëpër ëmbëltoret dhe bonboneri. Në pamundësi për të përgatitur bakllava në shtëpitë e tyre, shumë amvisëri blejnë bakllava nga ëmbëltoret ndërsa radhë të pritjes mund të shihen edhe në bonboneritë.
Edhe tek shitësit e bagëtive vërehet interesimi i qytetarëve. Çmimet për bagëti të imta variojnë nga 200 deri 250 euro, kurse për bagëti të mëdha rreth 1.500 euro.
Çmimi i kurbaneve sipas Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut është 190 euro për bagëti të imëta.
Shitësi i hurmave, bonboneve dhe gjërave të tjera Kenan Dalip në Bit Pazar, në një deklaratë për Anadolu tha se "Sivjet puna është mirë por prej të nxehtit pak më dobët. Por, prap harxhohen nga pak se është festa e Bajramit. Çmimet janë më lirë se vitet tjera. Por, sot dita e fundit është pak më dobët, tjera ditë ka qenë më mirë".
- Do të vendosen kontejnerë të posaçëm për mbetjet e kurbanit
Ndërkohë, në prag të Kurban Bajramit, Komuna e Çairit ka njoftuar se me rastin e festës në mbarë komunën do të vendosen tre kontejnerë të posaçëm për hedhjen e mbetjeve të kurbanit, edhe atë në Seravë, Duqanxhik dhe Çair.
"Ju ftojmë që mbetjet e kurbanit t'i hidhni vetëm në këto pika të përcaktuara, në mënyrë që të ruajmë pastërtinë publike, shëndetin e përbashkët dhe dinjitetin e festës sonë", thonë nga Komuna e Çairit.
Edhe Ndërmarrja Publike Higjiena Komunale - Shkup njoftoi se do të vendosë kontejnerë të posaçëm në të cilët qytetarët do të mund të hedhin mbetjen organike nga kurbanet.
"NP Higjiena Komunale - Shkup u bën apel besimtarëve që mbetjen organike ta hedhin ekskluzivisht në enët e caktuar, sepse hedhja e tyre në sipërfaqet publike mund ta rrezikojë seriozisht shëndetin publik dhe ta ndotë mjedisin jetësor", thekson Higjiena Komunale.
Rituali i Kurban Bajramit fillon me faljen e namazit të Bajramit në xhami, pastaj vazhdon me prerjen e kurbanit për ata që kanë mundësi, duke përfunduar me vizitat tek të afërmit, fqinjët, shokët dhe miqtë.
BFI-ja njoftoi se manifestimi qendror do të mbahet në Xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup më 6 qershor të premten, ndërkaq namazi i Bajramit do të falet në orën 05:39.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.