BALLKANI

Ura e Gurit në Shkup do të ndriçohet në bashkëpunim midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë

Ura e Gurit, një nga simbolet më të njohura të Shkupit, së shpejti do të pajiset me ndriçim dekorativ dhe arkitektonik, në kuadër të një projekti të përbashkët mes Qytetit të Shkupit, komunës turke Esenler dhe bankës Halkbank SHA Shkup

Abdulbesar Ademi  | 06.03.2026 - Përdıtësım : 06.03.2026
Ura e Gurit në Shkup do të ndriçohet në bashkëpunim midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë Foto: AA/Arkiv

Shkup

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gorgjievski, ka bërë të ditur se Ura e Gurit, një nga simbolet më të njohura të Shkupit, së shpejti do të pajiset me ndriçim dekorativ dhe arkitektonik, në kuadër të një projekti të përbashkët mes Qytetit të Shkupit, komunës turke Esenler dhe bankës Halkbank SHA Shkup, transmeton Anadolu.

Gjorgjievski në rrjetet sociale njoftoi se gjatë një takimi me delegacionin nga komuna Esenler dhe përfaqësuesit e bankës turke Halkbank u nënshkrua një protokoll për miqësi dhe bashkëpunim të përbashkët për zbatimin e projektit për ndriçimin dekorativ dhe arkitektonik të Urës së Gurit.

“Me zbatimin e këtij projekti, Ura e Gurit, një nga simbolet kryesore të Shkupit dhe një trashëgimi e rëndësishme kulturore dhe historike, do të marrë ndriçim dekorativ modern, të koordinuar me kujdes me tiparet e saj arkitekturore”, shkroi Gorgjievski.

Në kuadër të projektit do të vendosen drita moderne LED, reflektorë dhe sisteme të kontrollit të ndriçimit, të cilat do të jenë të harmonizuara me karakteristikat arkitektonike të urës dhe do t’i japin asaj një dimension të ri estetik gjatë natës.

“Me ndriçimin e ri dekorativ, Ura e Gurit do të fitojë edhe më shumë njohje dhe do të bëhet një simbol i vërtetë nate i Shkupit, duke theksuar historinë dhe bukurinë e qytetit tonë”, theksoi Gjorgjievski.

Përpos ambasadorit turk në Shkup, Fatih Ulusoy, në takim morën pjesë zv/kryetari i komunës Esenler, Omer Cetinkaya, anëtari i Këshillit të Komunës Esenler, Orhan Vardar, drejtori ekzekutiv i Halkbank SHA Shkup, Fatih Shahbaz, anëtari i Këshillit të Qytetit të Shkupit dhe i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Zekerija Berisha, si dhe konsulli i nderit i Turqisë, Ajdovan Ademoski.

Gjorgjievski falënderoi komunën Esenler, Halkbank SHA Shkup dhe të gjitha institucionet e përfshira për mbështetjen në realizimin e projektit, duke theksuar se ky bashkëpunim dëshmon marrëdhëniet e forta miqësore dhe përkushtimin e përbashkët për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Shkupit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.