Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup organizon Ekspozitën e 15-të Studentore
Kjo ngjarje, e cilësuar nga IBU-ja si festë e krijimtarisë dhe inovacionit, u organizua nga Fakulteti i Arteve dhe Dizajnit dhe Departamenti i Arkitekturës në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë në IBU

Shkup
Në ambientet e Muzeut të Qytetit të Shkupit është organizuar Ekspozita e 15-të Studentore e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), transmeton Anadolu.
Kjo ngjarje, e cilësuar nga IBU-ja si festë e krijimtarisë dhe inovacionit dhe kombinim energjik i imagjinatës, aftësive dhe arritjeve akademike, u organizua nga Fakulteti i Arteve dhe Dizajnit dhe Departamenti i Arkitekturës në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë në IBU.
Ekspozita ka tërhequr një audiencë të larmishme që përfshinte akademikë, arkitektë, artistë, studentë dhe familje.
Ceremonia e hapjes përfshiu fjalime nga rektori i IBU-së, prof. dr. Lütfi Sunar, prof. asoc. dr. Marija Miloshevska Janakieska, udhëheqëse e Departamentit të Arkitekturës dhe Prof. Laze Tripkov nga Fakulteti i Arteve dhe Dizajnit, të cilët theksuan rëndësinë e krijimtarisë, mendimit kritik dhe rolin e artit në formësimin e botës sonë.
Rektori Prof. Dr. Lütfi Sunar theksoi rolin jetësor të artit dhe dizajnit në formësimin e një shoqërie të lidhur dhe të vetëdijshme, duke e vlerësuar krijimtarinë si një forcë për ndikim kulturor dhe zgjidhje reale. Ai vlerësoi origjinalitetin e studentëve dhe cilësinë e lartë të punimeve të tyre si pasqyrim i shkëlqimit arsimor të IBU-së.