BALLKANI

Universiteti i Prishtinës u ndanë çmime presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti

Presidentja Osmani tha se UP-ja ka qenë gjithmonë simbol i hapësirës së lirisë së mendimit, të debatit dhe kërkimit të së vërtetës

Agim Sulaj  | 07.10.2025 - Përdıtësım : 07.10.2025
Universiteti i Prishtinës u ndanë çmime presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Universiteti i Prishtinës (UP) u ka ndarë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti çmimin "Alumni Nderi i Universitetit të Prishtinës", raporton Anadolu.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu tha se UP-ja ka qenë dhe vazhdon të jetë shtëpi e shumë njerëzve të përndritur dhe idealist të cilët kanë kontribuuar në mënyrë domethënëse për zhvillimin e vendit.

Hajrullahu tha se UP-ja ka përjetuar gjatë viteve të 90-ta bashkë me popullin Kosovar kohë shumë të vështira, kohën e aparteidit si dhe dëbimit nga objektet e tij.

"Pa e tepruar, mund të them se ka pak ose fare hiç universitete gjithandej në botë që ndihmuan aq shumë përndritjes dhe shtetësisë së një shoqërie, ashtu siç bëri gjatë tërë historisë Universiteti i Prishtinës. Nga ai dolën presidentë, presidente, kryeministra, burrështetas, profesorë e studentë dhe njerëz të jetës publike që na kanë bërë e vazhdojnë të na bëjnë krenarë brenda dhe jashtë vendit, gjithandej", theksoi Hajrullahu.

Presidentja Osmani tha se UP-ja ka qenë gjithmonë simbol i hapësirës së lirisë së mendimit, të debatit dhe kërkimit të së vërtetës. Ajo theksoi se dija është pasuria më e madhe që mund t'i jepet Kosovës, bileta më e sigurt drejtë konkurrencës së ndershme, qoftë në BE qoftë kudo tjetër në botë.

"Universiteti ynë, profesorët tanë, studentët tanë, janë shtylla më e fuqishme e këtij procesi. Duke dëshmuar se Kosova nuk është pjesë e Evropës vetëm gjeografikisht por edhe intelektualisht dhe me vlerat që ajo mbron çdo ditë dhe që janë edhe vet themel i shtetit tonë", theksoi Osmani.

Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se e sheh vetën si njeri të lidhur me të shkuarën dhe të ardhmen e UP-së dhe theksoi se Qeveria e Kosovës do t’i përgjigjet të gjitha kërkesave që vijnë prej universitetit.

Ai tha se UP-ja është një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e Kosovës dhe ai duhet mbajtur gjallë si ngjarje dhe si kult, si zhvillim e krijim intelektual dhe si infrastrukturë e profesioneve dhe akademikëve.

"Pranimi i këtij çmimi, alumni i nderit, nuk është vetëm nder personal për mua por një përgjegjësi e madhe gjithashtu. Ky është një nder që më lidh thellë me këtë universitet me historinë dhe aktualitetin e tij, me studentët e profesorët që e kanë formuar dhe vazhdojnë ta formojnë atë", theksoi Kurti.

Universiteti i Prishtinës është themeluar në vitin 1969 dhe përbën një nga arritjet më të rëndësishme në zhvillimin arsimor e kulturor të Kosovës. Krijimi i tij erdhi si rezultat i një procesi të gjatë politik dhe shoqëror, gjatë të cilit intelektualët shqiptarë kërkonin me ngulm krijimin e një institucioni të arsimit të lartë në gjuhën shqipe.

Sot, Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina" është institucioni më i madh dhe më i vjetër publik i arsimit të lartë në Kosovë, me dhjetëra mijëra studentë në dhjetëra fakultete e programe studimi, dhe mbetet një shtyllë qendrore në zhvillimin akademik dhe shoqëror të vendit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın