BALLKANI

Universiteti i New Yorkut në Tiranë mban ceremoninë e diplomimit

- Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke, të institucioneve shqiptare, drejtues të universitetit, pedagogë dhe prindër.

Fatjon Cuka  | 03.07.2025 - Përdıtësım : 04.07.2025
Universiteti i New Yorkut në Tiranë mban ceremoninë e diplomimit Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

TIRANË (AA) - Në Shqipëri është organizuar ceremonia e diplomimit të studentëve të Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), universiteti i Fondacionit Turk Maarif, për vitin akademik 2024-2025, raporton Anadolu.

Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë ishin të pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, anëtari i Bordit të Administratorëve të Fondacionit Turk Maarif, Hasan Ulusoy, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, zyrtarë të institucioneve shqiptare, si zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Ana Kapaj, zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blerta Rama, drejtues të universitetit, pedagogë dhe prindër.

Gjatë fjalës në ceremoni, Ulusoy u shpreh se Fondacioni Turk Maarif, është i pranishëm në 55 vende dhe përpiqet të ofrojë mësimdhënie dhe edukim për rreth 70.000 studentë në të gjithë botën.

"Me përpjekjet më të mira kontribuojmë në përpjekjet arsimore të vendeve mike. Dhe midis këtyre, jam shumë krenar të them se Shqipëria mbetet në një vend shumë të privilegjuar. Për sa i përket numrit të shkollave midis vendeve të përfaqësuara, Shqipëria mbetet midis 10 vendeve të para dhe gjithashtu e para dhe kryesuesja në Ballkan dhe Evropë. Mendoj se ky është një tregues mjaft i mirë i nivelit të bashkëpunimit, por edhe i cilësisë, si dhe i sinqeritetit të miqësisë dhe vëllazërisë midis dy vendeve tona", tha Ulusoy.

Zëvendësministrja Kapaj theksoi se UNYT përfaqëson një ofertë të rëndësishme akademike në mjedisin shqiptar.

"Universiteti i New Yorkut në Tiranë është një institucion që ka përjetuar rritje të vazhdueshme. Integrimi i kampusit të ri modern në vitin 2023, rritja e numrit të studentëve, si dhe progresi akademik dhe kërkimor që përmbush standardet ndërkombëtare të studentëve, janë të gjitha dëshmi të vizionit që ky universitet përfaqëson sot", tha Kapaj.

Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blerta Rama, u shpreh se mendon se të gjithë janë shumë krenarë për studentët e diplomuar.

"Në fakt ne studionim jashtë vendit, por qeveria aktuale po punon shumë për të sjellë botën dhe Evropën në Shqipëri. Pra, edhe nëse vendosni të keni masterin tuaj jashtë vendit, shpresoj vërtet që të mos e harroni kurrë vendin tuaj, sepse kontributi juaj këtu në Shqipëri është shumë i rëndësishëm", tha Rama, duke iu drejtuar studentëve.

Rektori i UNYT-së, Ali Güneş, tha se Universiteti i New Yorkut në Tiranë ka ofruar për studentët një arsim të jashtëzakonshëm, një komunitet të gjallë dhe një pikënisje për aspiratat e tyre. Duke iu drejtuar studentëve të diplomuar, Güneş, theksoi: "Vazhdoni përpara me besim, guxim dhe përkushtim për të pasur një ndikim pozitiv. Jemi jashtëzakonisht krenarë për secilin prej jush".

Gjatë ceremonisë përshëndeti me anë të një video-mesazhi President i Fondacionit Turk Maarif, Mahmut Özdil.

UNYT është universiteti i parë privat në Shqipëri i themeluar në vitin 2002 dhe që nga viti 2018 administrohet nga Fondacioni Turk Maarif.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın