Ujëvarat e Mirushës, dëshmi e madhështisë natyrore pavarësisht thatësisë
Kanionet e thella, ngjyrat e gurëve të skalitura nga koha dhe shtrati gjysmë i thatë që ditë dhe javë më parë mbante ujërat rrëmbyes, krijojnë atmosferë të qetë dhe mahnitëse, si një amfiteatër natyror

Klinë
Për shkak të thatësisë dhe të nxehtit rekord të këtij viti në Kosovë, Ujëvarat e Mirushës që shtrihen në pjesën qendrore të vendit, përkatësisht në anën lindore të Rrafshit të Dukagjinit, kanë mbetur aktualisht pa rrjedhë të ujit, por pavarësisht kësaj, relievi shkëmbor i ujëvarave mbetet dëshmi e madhështisë natyrore.
Kanionet e thella, ngjyrat e gurëve të skalitura nga koha dhe shtrati gjysmë i thatë që ditë dhe javë më parë mbante ujërat rrëmbyes, krijojnë atmosferë të qetë dhe mahnitëse, si një amfiteatër natyror.
Kanionet ku rrjedh lumi Mirusha i cili me kalimin e kohës ka krijuar një seri liqenesh të lidhura me njëra-tjetrën përmes ujërave të larta që shkojnë deri në 21 metra, ka krijuar fenomenin morfo-hidrologjik që e bënë atraktiv kanionet për turizëm dhe freskim gjatë verës.
Janë gjithsej 12 ujëvara me radhë që lidhen me njëra-tjetrën dhe të cilat ndryshojnë për nga forma dhe madhësia në bazë të pozicionit, me ç'rast, liqeni i fundit, ose ai që është më poshtë për nga lartësia mbidetare, është më i gjeri.
Pikërisht tek ky liqen janë ngritur edhe disa restorante të vogla dhe kamp-shtëpiza nga qytetarë të vendit dhe të huaj, për shkak se edhe është më lehtë i qasshëm për automjete dhe këmbësorë. Ky liqen ka thellësi mbi 5 metër dhe një gjerësi rreth 50 metërshe.
Turistë nga Arabia Saudite, Gjermania, Franca dhe vende tjera evropiane, janë bërë vitet e fundit frekuentues të rregullt të Ujëvarave të Mirushës.
Art Limani i cili erdhi nga qyteti i Prizrenit për herë të dytë tek Ujëvarat e Mirushës, thotë për Anadolu se këtë herë nuk u ndje dhe aq mirë kur pa që ujëvarat kishin ndalur rrjedhën.
"Kësaj here kur erdha u befasove që nuk ka rrjedhë të ujit në ujëvarë ngase siç e kuptova kjo ka ndodhur për shkak të thatësisë. U dëshpërova pak, mirëpo ç'të bëjmë", thotë qytetari nga Prizreni i cili shton se më shumë preferon që thjesht të freskohet në këtë vend pa u futur në ujë për t'u larë.
Edhe Vedat Hyseni nga qyteti i Vushtrrisë, i cili jeton në Gjermani, erdhi me familje tek ujëvarat. Hyseni madje bëri edhe xhiro me varkën e gomës në liqenin më të madh të ujëvarave.
"Vendi është shumë i bukur, mirëpo pak problem me mungesë të rrjedhës së ujit. Kam ardhur me familje dhe kjo është hera e dytë për mua këtu", thotë ai.
Gjithë Ujëvarat e Mirushës shtrihen në një sipërfaqe prej 598 hektarësh.