BALLKANI

"Turqia mbetet gjithmonë në krah të Shqipërisë"

Një avion ushtarak i Republikës së Turqisë ka sjellë në Shqipëri çadra, batanije, krevate portativë dhe mjete ngrohëse, për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit

Fatjon Cuka   | 03.12.2019
"Turqia mbetet gjithmonë në krah të Shqipërisë" Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Institucionet e ndryshme nga Turqia vazhdojnë dërgimin dhe shpërndarjen e ndihmave për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri që shkaktoi dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur, raporton Anadolu Agency (AA).

Një avion ushtarak i Republikës së Turqisë ka sjellë në Shqipëri çadra për strehimin e banorëve, batanije, krevate portativë dhe mjete ngrohëse, ndërsa gjatë mbërritjes së ndihmave në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës ishin të pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, zëvendësministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Petro Koçi, ushtarakë shqiptarë dhe turq dhe përfaqësues të institucioneve të tjera të Shqipërisë.

“Institucionet turke u angazhuan për të dhënë ndihmën e tyre”

Në një prononcim për mediat, ambasadori Yörük, duke shprehur ngushëllimet për popullin shqiptar, theksoi se me urdhër të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, institucionet turke u angazhuan për të dhënë ndihmën e tyre.

"Në të njëjtën datë me tërmetin, të gjitha institucionet turke duke filluar që me Drejtorinë e Menaxhimit të Katastrofave dhe Emergjencave, Gjysmëhënën e Kuqe Turke, dhe të gjitha institucionet e tjera u vunë në lëvizje për të ndihmuar popullin vëlla shqiptar. Që nga ajo ditë, institucionet tona, bashkë me Kryqin e Kuq Shqiptar dhe Ministrinë e Mbrojtjes, kanë kryer aktivitetet e kërkim-shpëtimit, si dhe aktivitetet e ndihmës njerëzore. Gjatë kësaj kohe, drejtori i Përgjithshëm i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Dr. Ibrahim Altan, ka ardhur në Shqipëri. Bashkë me atë, kryesisht në Durrës dhe vendet e prekura nga tërmeti, kemi qenë së bashku për të kryer inspektime përkatëse", tha ambasadori turk.

Yörük u shpreh se në të njëjtën kohë përfaqësues të Gjysmëhënës së Kuqe Turke po vazhdojnë aktivitetet për ndihmë ndaj njerëzve në terren.

"Në fundjavën e kaluar, erdhi një ekip nga Ministria e Mjedisit dhe Urbanistikës dhe ka shkuar në vendet ku ka rënë tërmeti për të kryer matjet e duhura. Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, duke i folur edhe komunitetit ndërkombëtar kërkoj t’i jepej ndihmë Shqipërisë në këtë kohë të vështirë dhe ai u shpreh se do të ndihmonte Shqipërinë duke ndërtuar 500 apartamente. Me një përfaqësi të Drejtorisë së Administrimit të Banesave Publike të Turqisë, kemi komunikuar me ministren e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti dhe kanë filluar punimet për këto lloj ndihme. Pasi të vendoset për qytetin dhe vendin ku këto apartamente të ndërtohen ne do të fillojmë menjëherë punën për t'iu dhënë personave të prekur nga ky tërmet një shtëpi të qëndrueshme ku ato të banojnë", tha më tej ambasadori i Turqisë në Tiranë.

Ai theksoi se vazhdojnë akoma të asistojnë me ndihma për popullin shqiptar, duke mundësuar çadra të qëndrueshme të tipit familjar.

"Nga avioni ushtarak që ndodhet pas nesh ne vazhdojmë të japim materiale të ndryshme për personat të cilët nuk mund të kthehen pranë shtëpive të tyre dhe këto materiale ndihme konsistojnë në ngrohëse, në batanije, në krevate portativë dhe të tjera. Nga ana tjetër përfaqësues të TIKA-s, dhe të Gjysmëhënës së Kuqe Turke, vazhdojnë me shpërndarjen e ndihmave ushqimore për të gjithë të prekurit nga ky tërmet prej ditës së parë të tij. Ne si popull turk, si Turqi, e kemi për detyrë që në kohë të vështira, t’i gjendemi pranë, në ndihmë Shqipërisë . Ne jemi duke punuar që të lehtësojmë sadopak dhimbjen e popullit shqiptar nga ky tërmet tragjik”, u shpreh Yörük, duke theksuar se do të jenë gjithmonë në ndihmë të popullit shqiptar në këto kohë të vështira.

 

Koçi: Turqia ka qenë dhe mbetet gjithmonë në krah të Shqipërisë në rastet e fatkeqësive

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Petro Koçi, gjatë prononcimit për mediat tha Shqipëria ishte e sigurt se Turqia do të ishte një nga vendet e para që do të asistonte në përballimin e kësaj fatkeqësie të rëndë.

"Turqia, një vend më shumë se mik, Turqia një popull më shume se mik për shqiptarët, ka qenë dhe mbetet gjithmonë në krah të Shqipërisë në rastet e këtyre fatkeqësive . Kjo fatkeqësi po kthehet në një energji më shumë në frymën e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Turqisë. Dua të shpreh mirënjohjen për presidentin Erdoğan, për Ministrinë e Mbrojtjes së Turqisë, për Forcat e Armatosura, për Gjysmëhënën e Kuqe Turke, për Agjencinë Publike të Strehimit të Turqisë dhe për të gjitha ekipet e asistencës të kërkim-shpëtimit që kanë mbërritur në Shqipëri për të përballuar këtë sfidë e cila është shumë e vështirë për ne", tha Koçi.

Koçi theksoi më tej se vlerëson në mënyrë të veçantë angazhimin e peridentit Erdoğan, për ndërtimin e 500 njësive të banimit për familje të cilat u prekën rëndë nga fatkeqësia e tërmetit të 26 nëntorit.

"Kjo na e lehtëson shumë situatën dhe na krijon më shumë optimizëm për ta përballuar me sukses këtë sfidë shumë të rëndë. Turqia edhe një herë po dëshmon se në raste të tilla është e gatshme, është nga vende e para që vjen për të asistuar Shqipërinë dhe ne do të dimë që t’i jemi gjithmonë mirënjohës Turqisë për këtë kontribut të jashtëzakonshëm vëllazëror me shpirt të madh dhe me zemër të pastër ndaj Shqipërisë. Dua gjithashtu të falënderoj djemtë e Forcave Ajrore Turke që kanë mbërritur me shpejtësi për të sjellë këto ndihma, që janë shumë praktike për njerëzit në nevojë", tha Koçi.

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile të Shqipërisë, Haki Çako, në prononcim e tij vlerësoji kontributin e Qeverisë së Turqisë dhe në mënyrë të veçantë të presidentit Erdoğan.

"Që nga momenti që ndodhi fatkeqësia natyrore, gatishmëria dhe dispozicioni i grupeve të kërkim-shpëtimit turke ka qenë sa profesional aq edhe i nevojshëm, i domosdoshëm dhe rezultativ në nxjerrjen e personave që kanë qenë nën rrënoja. Edhe një moment për t'u vlerësuar është ekspertiza që ka ofruar shteti turk për vlerësimin e objekteve të cilat do të klasifikohen si të pabanueshme ose më saktë për ekspertizën që do të përcaktojë qartë të gjithë ato që do të rindërtohen dhe ato që do të risktrukturohen", tha Çako.

Ndihmat e mbërritura me avionin ushtarak turk janë të Gjysmëhënës së Kuqe Turke dhe Autoritetit Turk për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD) dhe përfshijnë 150 çadra, 150 batanije, 300 krevate portativë dhe 150 ngrohëse.

Tërmeti me magnitudë 6,3 ballë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor përveçse shkaktoi 51 të vdekur dhe qindra të plagosur shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale.

Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulture, objekte të institucioneve, ndërsa vendi u godit në ditët e fundit edhe nga disa tërmete të tjera.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın