Turqia, Ekonomi, BALLKANI

Turqia dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi në fushën e bujqësisë

Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë së Turqisë, Bekir Pakdemirli është takuar në Ankara me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Arjanit Hoxha dhe ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini

Enes Duran   | 21.01.2021
Turqia dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi në fushën e bujqësisë

Ankara

Turqia dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim dhe memorandume mirëkuptimi në fusha të ndryshme të bujqësisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë së Turqisë, ministri turk Bekir Pakdemirli është takuar në Ankara me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të Maqedonisë së Veriut, Arjanit Hoxha dhe ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini.

Gjatë takimit, u bisedua për shumë çështje në mesin e të cilave për tregtinë bujqësore dhe investimet, sigurimet bujqësore me tregtinë e produkteve pyjore dhe parandalimin e thatësirës me kërkime bujqësore midis dy vendeve.

Pakdemirli, gjatë fjalës së tij, shprehu besimin se vështirësitë që ka krijuar pandemia do të tejkalohen vetëm me solidaritet ndërkombëtar.

Ai duke rikujtuar ndihmat mjekësore të dërguara në Maqedoninë e Veriut gjatë pandemisë, tha se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë miqve të tyre nga Maqedonia e Veriut.

Pademirli tha se është i kënaqur nga marrëdhëniet efektive dhe dinamike midis dy vendeve.

"Investimet turke në Maqedoninë e Veriut pavarësisht pandemisë edhe në vitin 2020 vazhduan dhe arritën në 1.3 miliardë dollarë. Numri i kompanive turke që ndodhen në Maqedoninë e Veriut arrin në afro 100. Me anë të këtyre kompanive u mundësohet punësim rreth 5.000 personave. TIKA në Maqedoninë e Veriut që nga viti 2005 ka realizuar rreth 1000 projekte në vlerë prej mbi 100 milionë dollarë", tha Pakdemirli.

Ndër të tjerat, ai tha se shifrat e tregtisë dypalëshe nuk kanë arritur në nivelin e duhur, duke theksuar se sipas shifrave të vitit 2019, Turqia ka realizuar një eksport prej 398.3 milionë dollarësh në Maqedoninë e Veriut, prej të cilëve 26.3 milionë janë produkte bujqësore.

Në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar sot në fushën e shërbimeve veterinare dhe sigurisë ushqimore, ministri Pakdemirli tha se së shpejti do të fillojnë bisedimet e nevojshme për të hedhur hapat për lehtësimin e licencimit dhe eksportit drejt Maqedonisë së Veriut të vaksinave dhe ilaçeve të prodhuara në Turqi.

Pas takimeve mes ministrive u nënshkrua "Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e politikave të shërbimeve veterinare dhe sigurinë e ushqimit", "Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e pylltarisë" si dhe "Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e ujërave".

Në njoftimin nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, të dyja vendet në fushën e menaxhimit të ujit do të bashkëpunojnë në drejtim të menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore, të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe krijimit të mundësive për investime të reja dhe përmes zbatimit të projekteve të përbashkëta do të kontribuojnë në mbrojtjen dhe përdorimin e potencialit pyjor.

Me marrëveshjen e arritur, thuhet nga qeveria, për Sigurinë e Ushqimit rregullohen kompetencat dhe detyrimet e të dyja vendeve në drejtim të importit, eksportit dhe transitit të ushqimit dhe kafshëve, në mënyrë që të përmbushë standardet e sigurisë dhe legjislacionin përkatës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın