BALLKANI

Türkiye vazhdon mbështetjen për sektorin e arsimit në Shqipëri

TIKA ka kontribuar në ngritjen e laboratorëve të kimisë dhe biologjisë në Gjimnazin "Sami Frashëri",duke përfshirë pajisjen me mikroskopë, tabela interaktive, kapa e aspirimit, monitorë, aparate të ndryshëm, mobilimin me tavolina dhe pajisje të tjera

Fatjon Cuka  | 19.03.2024 - Përdıtësım : 20.03.2024
Türkiye vazhdon mbështetjen për sektorin e arsimit në Shqipëri Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen për sektorin e arsimit në Shqipëri, ndërkohë ka kontribuar në ngritjen dhe kompletimin me pajisje dhe materiale laboratorike të laboratorëve të kimisë dhe biologjisë në Gjimnazin "Sami Frashëri" në Tiranë, raporton Anadolu.

Në inaugurimin e dy laboratorëve në fjalë ishin të pranishëm ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, nënkryetari i TIKA-s, Mahmut Çevik, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Mustafa Ata, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Türkiyes në Tiranë, Metin Bulut, drejtues të shkollës, mësues dhe nxënës.

Ministrja Manastirliu, e cila ka përfunduar gjimnazin në shkollën në fjalë, në një deklaratë për mediat falënderoi institucionet turke, sipas saj, për gjithë kontributin në lëmin e arsimit sa i përket mbështetjes së posaçme të dedikuara në infrastrukturën shkollore, por gjithashtu edhe në rritjen e infrastrukturës, teknologjisë dhe inovacionit nëpër shkolla.

"Është gjithmonë një kënaqësi rikthimi në Shkollën ‘Sami Frashëri’, një prej shkollave të ekselencës, por tashmë edhe me këto laboratorë modernë që i janë shtuar kësaj shkolle, falë partneritetit që ne kemi me Republikën e Türkiyes, me TIKA-n, e cila është një mbështetëse dhe kontributore në zhvillimin e arsimit në Shqipëri", tha Manastirliu.

Ajo tha se këto laboratorë të rinj janë standardi më i lartë i laboratorëve në strukturat e arsimit në Shqipëri, sipas saj, një model fantastik që do ta aplikojnë edhe në struktura të tjera arsimore.

Çevik deklaroi se TIKA ka 28 vite që është e pranishme në Shqipëri, sipas tij, duke realizuar deri më sot 600 projekte në fusha të ndryshme, ndërsa shtoi se projekti i laboratorëve është projekti i 131-të që kanë realizuar në fushën e arsimit.

"Jemi munduar që në fushën e arsimit të ndihmojmë dhe japim edhe ne kontributin tonë për shtetin shqiptar, duke ndihmuar në rikonstruksionin e shkollave, krijimin e laboratorëve, si ky që kemi bërë sot këtu, në krijimin e klasave për personat me aftësi ndryshe, mobilimin e shkollave e të tjera", tha Çevik.

Ambasadori Atay falënderoi ministren Manastirliu për mundësinë e bashkëpunimit për këtë projekt.

"Ju mund të keni mundësinë për t’u zhvilluar, por në momentin që nuk keni një ambient i cili të krijojë këto kushte për zhvillim, patjetër që është më e vështirë, prandaj dua të falënderoj ministren (Manastirliu) që na dha mundësinë që edhe ne të jemi pjesë mbështetëse në rrugën për zhvillimin", tha Atay.

Seferi deklaroi se nxënësit e kësaj shkolle tanimë nuk do të mësojnë vetëm teorikisht, por edhe në praktikë, falë këtyre laboratorëve me kontributin e TIKA-s, duke shtuar se kjo është një element shumë i rëndësishëm për rritjen e mëtejshme të arsimimit të nxënësve.

TIKA ka kontribuar në ngritjen e laboratorëve të kimisë dhe biologjisë në Gjimnazin "Sami Frashëri", duke përfshirë pajisjen me mikroskopë, tabela interaktive, kapa e aspirimit, monitorë, aparate të ndryshëm, mobilimin me tavolina dhe pajisje të tjera.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.