"Tribunali për Gazën" në Sarajevë dënon gjenocidin izraelit kundër palestinezëve
"Ne e njohim të drejtën e popullit palestinez për të rezistuar, përfshirë edhe përmes luftës së armatosur, kundër pushtimit të huaj, dominimit kolonial, aparteidit, nënshtrimit nga një regjim racist dhe i agresionit", thuhet në deklaratë

Sarajevë
Iniciativa "Tribunali për Gazën", i themeluar për të hetuar aspektet ligjore, politike dhe etike të ngjarjeve në Gaza që ndodhet nën sulmet izraelite, dënoi krimin e gjenocidit të Izraelit në Gaza në deklaratën e tij përfundimtare në Sarajevë, duke theksuar se e drejta e popullit palestinez për vetëvendosje nuk është e hapur për diskutim dhe është një "e drejtë e vetëkuptueshme dhe themelore", raporton Anadolu.
Pas seancave të iniciativës së "Tribunalit për Gazën" që filluan më 26 maj në Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës në Bosnjë e Hercegovinës, anëtarët e tribunalit njoftuan publikun për Deklaratën e Sarajevës.
Deklarata e lexuar nga prof. dr. Penny Green, një anëtare e iniciativës së "Tribunalit për Gazën" deklaroi se anëtarët e tribunalit u mblodhën, deklaruan zemërimin e tyre të përbashkët moral kundër gjenocidit të vazhdueshëm në Palestinë, shprehën solidaritetin e tyre me popullin palestinez dhe u zotuan të punojnë së bashku për të ndaluar gjenocidin dhe për të detyruar autorët dhe ata që janë bashkëpunëtorë në këtë krim të japin llogari.
Pasi vihet në dukje se do të punohet me partnerë të shoqërisë civile në të gjithë botën për të arritur drejtësi për viktimat dhe të mbijetuarit, për të ndërtuar një rend ndërkombëtar më të drejtë dhe një Palestinë të lirë, në deklaratë më tej theksohet:
"Ne dënojmë pamëdyshje (në mënyrë të prerë) krimin e gjenocidit të qeverisë izraelite, politikat e saj në dekada të tëra të kolonializmit të kolonizimit, supremacizmit etnik, aparteidit, diskriminimit racor, persekutimit, vendbanimeve të paligjshme, mohimit të së drejtës së kthimit, ndëshkimit kolektiv, paraburgimit, torturës, trajtimit dhe ndëshkimit çnjerëzor, ekzekutimeve të shpejta, dhunës sistematike seksuale, prishjeve, zhvendosjes dhe deportimit me forcë, spastrimit etnik, ndryshimit demografik të detyruar, urisë, mohimit sistematik të të gjitha të drejtave ekonomike dhe sociale dhe politikave të shkatërrimit".
- "Ne e njohim të drejtën e popullit palestinez për të luftuar në të gjitha format"
Në deklaratë thuhet se është frymëzim nga rezistenca e popullit palestinez kundër shtypjes që ka vazhduar për më shumë se një shekull dhe solidariteti që miliona njerëz kanë krijuar me ta. "Ne e njohim të drejtën e popullit palestinez për të rezistuar, përfshirë edhe përmes luftës së armatosur, kundër pushtimit të huaj, dominimit kolonial, aparteidit, nënshtrimit nga një regjim racist dhe i agresionit, siç njihet në të drejtën ndërkombëtare dhe konfirmohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB)", theksohet në deklaratë.
Duke u bërë thirrje të gjitha qeverive, organizatave rajonale dhe ndërkombëtare që t'i japin fund skandalit të mosveprimit historik që ka vazhduar për 19 muajt e fundit, ndër të tjera thuhet:
"Ne dënojmë krimet e luftës të Izraelit në Palestinë, krimet e tij kundër njerëzimit, bashkëpunimin e vazhdueshëm të qeverive në gjenocid dhe rolin e turpshëm të shumë mediave në mbulimin e gjenocidit, që palestinezët të mos kosiderohen njerëz dhe për përhapjen e propagandës që nxit racizmin anti-palestinez, krimet e luftës dhe gjenocidin".
Gjithashtu në deklaratë nënvizohen të drejtat që ka Palestina dhe thuhet: "Ju kujtojmë se e drejta e popullit palestinez për vetëvendosje është e natyrës 'jus cogens' dhe 'erga omnes' (një rregull universal që nuk i nënshtrohet përjashtimeve dhe është i detyrueshëm për të gjitha shtetet) dhe nuk është e hapur për diskutim, por përkundrazi është një e drejtë e qartë dhe themelore".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.