BALLKANI

Tiranë, inaugurohen ambientet sportive të shkollës "Mustafa Kemal Ataturk"

Ndërtimi dhe rikostruksioni i tyre është mundësuar nga fondet e siguruara nga panairi i bamirësisë i organizuar nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, me mbështetjen e disa institucioneve dhe kompanive turke

Fatjon Cuka  | 19.11.2019 - Përdıtësım : 20.11.2019
Tiranë, inaugurohen ambientet sportive të shkollës "Mustafa Kemal Ataturk" ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Në Tiranë është organizuar aktiviteti i inaugurimit të ambienteve sportive të shkollës 9-vjeçare "Mustafa Kemal Ataturk", me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve turke në Shqipëri, drejtuesve të shkollës, mësuesve dhe nxënësve, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndërtimi dhe rikostruksioni i tyre është mundësuar nga fondet e siguruara nga panairi i bamirësisë i organizuar nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, me mbështetjen e disa institucioneve dhe kompanive turke.

Gjatë aktivitetit, në një prononcim për AA, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, tha se sot ndajnë lumturinë që kanë mbajtur fjalën e dhënë për ambientet sportive të kësaj shkolle.

"Ambientet sportive do të ndikojnë shumë në psikologjinë, në fizikun dhe në të gjitha aspektet për nxënësit që të jenë sa më të suksesshëm. Falënderoj zyrën e TIKA-s, përfaqësuesit e Turkish Airlines, që është partneri i Air Albania, për mbështetjen e tyre. Ne do ta vazhdojmë punën e panaireve të ushqimeve vullnetare, si diçka tradicionale që zhvillohet çdo vit", theksoi ambasadori Yörük.

Ai theksoi më tej se "Dua të falënderoj në emër të Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë presidentin Ilir Meta, i cili personalisht ka dhënë kontributin e tij dhe në të njëjtën kohë ka qenë i pranishëm në panair. Ne me shqiptarët kemi qenë gjithmonë dorë për dorë dhe kemi pasur një bashkëpunim dhe solidaritet të mrekullueshëm me këtë popull gjatë shekujve. Uroj dhe shpresoj që edhe në të ardhmen i njëjti bashkëpunim do të vazhdojë ".

Dritan Kllojka, drejtori i shkollës 9-vjeçare "Mustafa Kemal Ataturk" në Qarkun e Tiranës, duke folur për bashkëpunimin me institucionet turke, tha se kanë realizuar aktivitete të përbashkëta me ftesën e Ambasadës së Turqisë në Tiranë.

"Ambasada turke dhe institucionet e tjera si TIKA na janë gjendur pranë, duke kontribuar në infrastrukturën e shkollës, e cila ndikon edhe tek cilësia e mësimit. Edhe investimi i fundit për ambientin sportiv i ka dhënë një imazh të ri shkollës dhe ne që në momentin e parë që vijmë te shkolla jemi shumë të gëzuar. Përveç kësaj kjo do të ndikojë edhe tek përgatitja dhe nxjerrja e talenteve të reja në volejboll dhe basketboll të nxënësve të shkollës. Këtë ambient mund ta shfrytëzojë edhe komuniteti dhe do të jetë një ambient i hapur", tha Kllojka.

Kllojka shprehu falënderimet në emër të nxënësve dhe mësuesve të shkollës për Ambasadën e Turqisë në Tiranë dhe ambasadorin Yörük, ku theksoi se është bërë njeriu më i dashur për komunitetin e zonës së Saukut.

Me fondet e siguruara nga panairi i bamirësisë është realizuar ndërtimi i fushës së volejbollit dhe rindërtimi i fushës së basketbollit në ambientet e jashtme të shkollës.

Shkolla 9-vjeçare "Mustafa Kemal Ataturk" e vendosur në lagjen Sauk të Tiranës, aktualisht ka 550 nxënës nga cikli parashkollor deri në klasën e 9-të. Shkolla është hapur në vitin 1996, ndërsa në vitin 2002 ka marrë emrin e themeluesit të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk. Shkolla është shtetërore dhe mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.